Agim Ibraimi nuk është drejtori sportiv i Tiranës në Superligë. Palët janë takuar këtë të mërkurë dhe nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, duke u "divorcuar" pas një sezoni. Klubi më i titulluar në vend pa makthet e tetë viteve më parë, teksa e mbylli sezonin në vendin e tetë dhe ia doli të mbijetonte në elitë vetëm në ndeshjen shtesë, të fituar 1-0 kundër Pogradecit.
"Klubi i Futbollit Tirana njofton se ka ndërprerë me konsensus bashkëpunimin me drejtorin sportiv, Agim Ibraimi. Pas një viti bashkëpunim si bardheblu, Ibraimi ndau sot rrugëtimin e tij me klubin, i cili i besoi edhe detyrën e tij të parë menaxheriale. E falenderojmë Ibraimin për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës", shkruan klubi i Tiranës.
Edhe pse nuk ka patur përplasje mes palëve, duket se filozofia e klubit me atë të drejtorit ishte e ndryshme dhe në drejtime të kundërta. 18 lojtarë të marrë nga Ibraimi këtë sezon, një shifër në të cilën vetëm pak lojtarë spikatën, si Jarmouni, Dembele dhe Kola, lojtarë që në verë mund të sakrifikohen nëse paraqiten oferta të kënaqshme, megjithatë gjithçka do të varet nga politikat që do të sjellë drejtori i ri sportiv.
Për të zëvendësuar shqiptarin e Maqedonisë së Veriut emri më i përfolur është ai i Tefik Osmanit, me korçarin që do rikthehej në klub. Pas largimit të tij nga Vllaznia, veç Tiranës për Osmanin ka oferta edhe nga Flamurtari dhe Vora.
Ndërkohë sa i përket trajnerit, duket se Tirana edhe në sezonin e ri do i besojë Bledi Shkëmbit.
Komente
