Tirana ka bërë dy goditje në merkato, ditën e sotme. Në fakt, njëri është konfirmim në ekipin e parë, sepse vjen nga të rinjtë dhe është vetëm 17 vjeç.
Por, paraqitja e tij me të rriturit në Kategorinë e Parë, sezonin e kaluar, e ka bindur trajnerin Ze Maria dhe klubin bardheblu për ta përfshirë nën kontratë, duke evituar kështu edhe ndonjë “grabitje” nga të tjerë të interesuar.
Fjala është për sulmuesin Ernest Muçi. Ky i fundit ka firmosur dhe është prezantuar sot si bardheblu, bashkë me ish-lojtarin e Kukësit, Eni Imami.
(Ernest Muçi)
Edhe 25-vjeçari ka pozuar me fanellën e 24 herë kampionëve të vendit. Ja njoftimet i klubit bardheblu me këtë rast:
Ka firmosur sot mbrojtësi Eni Imami për Tiranën në Superiore. Në ambientet e klubit, futbollisti 25-vjeçar ka nënshkruar marrëveshjen që e bën bardheblu për dy vitet e ardhshme. Imami në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Kukësit dhe vjen si një përforcim me shumë vlera për Tiranën, duke qenë se luan jo vetëm si mbrojtës i majtë, por edhe si mesfushor.
3 vite bardheblu për sulmuesin Ernest Muçi. Sot, në ambientet e klubit, sulmuesi 17-vjeçar ka nënshkruar kontratën e parë profesioniste, duke u bërë kështu pjesë e rëndësishme e të ardhmes bardheblu. Muçi është një nga investimet e të ardhmes dhe marrëveshja e firmosur e bën atë zyrtarisht pjesë të projektit për Tiranën Superiore. Nga Tirana U-17 te skuadra e parë, si një produkt bardheblu, me një premtim për të ardhmen.
Klubi bardheblu