Kronikë

Në gjyq skandali i mbetjeve spitalore, të pandehur 10 zyrtarë e 3 administratorë kompanish! 'Vale Recycling' pa pajisje, fitoi 30 tendera me spitalet shtetërore (EMRAT)

31 Maj, 10:27| Përditesimi: 31 Maj, 16:42

  • Share

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për skandalin me mbetjet spitalore dhe ka dërguar për gjykim administratorët e tre kompanive dhe 10 zyrtarë. Bëhet fjalë për një skandal me mbetjet mjedisore, ku është përfshirë kompania Vale Recycling shpk me administratorin Elvis Miri, i cili akuzohet nga organi i akuzës se ka përfituar 65 milionë lekë tenderë pa pajisje nga një sërë spitalesh publike.

Miri dyshohet se ka falsifikuar dokumentet për pasjen në zotërim të një autoklave Econos Tsc 150, të specializuar në përpunimin e mbetjeve spitalore, ndërkohë që nuk e kishte këtë pajisje në punë.

Konkretisht, për gjykim janë dërguar tre administratorët e kompanive Elvis Miri i “Vale Recycling Shpk”, Elidiana Shehu e “EMC shpk” dhe Laert Shehu i “Swot Shpk”, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh pasi kanë bërë deklarime të rreme mbi pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, të përdorura për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore në mungesë të kapaciteteve reale.

Elvis Miri, administratori i kompanisë Vale Recycling Shpk dyshohet se përfitoi mbi 65 milionë lekë tendera për riciklim të mbetjeve spitalore duke përdorur dokumente false, pa pasur paisje dhe duke sjellë dëme mjedisore. Kompania fitoi tendera në spitalet e Beratit, maternitetin Koço Gliozheni, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin Shefqet Ndroqi. Në të gjithë këto tendera, kompania ka pretenduar pasjen e paisjes Econos Tsc 150, për trajtimin e mbetjeve spitalore.  “VALE” e ka deklaruar këtë pajisje që në vitin 2016, por ndërkohë që e ka blerë vetëm në fillim të vitit 2024.

Prokruroria thotë se gjatë periudhës 2017–2022, Vale Recycling ka përfituar mbi 30 tendera "duke përdorur pajisje të pasakta dhe të munguara në vendushtrim te aktivitetit, në kundërshtim me kriteret ligjore për lejet mjedisore të tipit A dhe B."

"Ky hetim nxjori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse", njoftoi Prokuroria e Tiranës.

Elvis Miri pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore, por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë. 

'Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve mjedisore për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore. Në kuadër të hetimeve të zgjeruara për çështjen penale nr.1255/2024, e cila u regjistrua pas kallëzimit të gazetarit investigativ S.K., u këqyr i gjithë dokumentacioni zyrtar, u morrën deklarime, si dhe u verifikuan në terren dhe u administruan provat materiale e fotografike.

Hetimi zbuloi një skemë të gjerë falsifikimi dhe shpërdorimi detyre, e cila përfshinte bashkëpunim ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë dhe për rrjedhojë u morrën të pandehur për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve (neni 186/3 i Kodit Penal) shtetasit: E.M., administrator i “V.R Shpk', E.Sh., administratore e “E.. Shpk”, L.Sh., administrator i “S.... Shpk”. Këta shtetas akuzohen për deklarime të rreme mbi pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, të përdorura për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore në mungesë të kapaciteteve reale', thuhet në njoftim.

Për t’i shpëtuar autoriteteve të tre kompanitë e përfshira në skandal u toleruan nga 10 inspektorë të institucioneve mjedisore. Për gjykim janë dërguar inspektorët Jorida Shabaku, Edmond Palushi, Arben Marku, Norbert Dacaj, Alba Kurti, Besarta Leka, Ilir Bardhi, Kejdi Ahmetaj, dhe dy të tjerë me inicialet T.P., B.S., të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi lejuan shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Prokuroria e Tiranës thotë se hetimi I nisur një vit më parë zbuloi një skemë të gjerë, pasi zyrtarët kanë kryer inspektime formale, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale të instalimeve në terren. Hetimi thotë organi I akuzës nxori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse.

Hetimi për këtë kallëzim u zhvillua nga prokurori Arenc Çela dhe Ndini Tavani. “Vale Recycling” ka bashkëpunuar me subjektin “EMC”, me administrator Elidiana Shehu, për ofrimin e ekspertizave e konsulencave, si edhe hartimin e raportimeve të ndryshme për pajisjen me leje mjedisore të ndryshme. Ky bashkëpunim ka nisur prej vitit 2015. Shehu, për llogari të “Vale Recycling” ka zhvilluar një dëgjesë publike me qytetarët e zonës ku ushtronte funksionin kompania e Elvis Mirit. Në dokumentet e asaj dëgjese, Shehu ka shënuar se “VALE” ka në dispozicion, ndër të tjera, pajisjen “Econos”. Në periudhën Tetor 2020-Janar 2022, kompania “VALE” ka bashkëpunuar me subjektin “SWOT”, me administrator Laert Shehu, për konsulencë teknike, në funksion të lejeve mjedisore.

EMRAT e personave të dërguar për gjykim
Elvis Miri i “Vale Recycling Shpk”
Elidiana Shehu “EMC shpk”
Laert Shehu i “Swot Shpk”
Jorida Shabaku
Edmond Palushi
Arben Marku
Norbert Dacaj
Alba Kurti
Besarta Leka
Ilir Bardhi
Kejdi Ahmetaj
T.P.
B.S.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës
S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • neri: 31/05/2025 12:36

    Ky ndyrësirë duhet dënuar por ata që ju kanë dhënë tenderit duhen dënuar më shumë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?