Tiranë- Gjykata e Posaçme ka dënuar me 5 vite dhe 4 muaj burgim Luis (Argen) Çelën për kultivim e trafik droge, si dhe organizatë kriminale, aktivitete të ushtruara në Greqi dhe në dosjen e transferuar nga vendi fqinj.
Vendimi është marrë ditën e sotme (9 janar), pas kërkesës dhe pretencës së dhënë më herët nga ana e SPAK. Gjykata e shpalli fajtor për dy akuza 44-vjeçarin nga Skrapari, duke dhënë 8 vite burgim, por për shkak të uljes së një të tretës u dha dënimi i mësipërm.
Hetimet dhe procedimi kishin nisur prej vitit 2022, teksa nisi edhe procesi gjyqësor, me gjykim të shkurtuar. Dosja pasi ishte dërguar nga Greqia për procedim, u çua nga SPAK për gjyq më 26 tetor 2024 në GJKKO.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Erjon Bani dhe Bib Ndreca, me vendimin vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Luis (Argen) Çela për veprën penale “kultivimi i narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në verdiktin final.
Në total ai u dënua me 8 vite izolim në bashkim dënimesh, kurse në bazë të pranimit t akteve të dosjes dhe gjykimit të shkurtuar me ulje të një të tretës, u vendos izolimi me 5 vjet e 4 muaj burgim, dënim që nis që nga dita e arrestimit, datë 13 shtator 2024 dhe që do të kryhet në një institucion të sigurisë së lartë.
Avokati dhe i dënuari kanë kohë 15 ditë për të kundërshtuar në Apel vendimin e shkallës së parë të GJKKO-së.
Hetimi i SPAK ndaj tij filloi mbi bazën e kërkesës për ndihmë të ndërsjelltë nga Prokuroria e Kallamatës në Greqi. Synimi i grupit sipas dosjes, ishte prodhimi dhe grumbullimi nga plantacionet që ata kultivonin me qëllim përfitimin e paligjshëm nga trafikimi. Anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal merreshin me trafikimin e drogave të tjera, si kokaina, duke përdorur rrjete të organizuara për shpërndarje.
Sipas SPAK rezultoi se Luis Çela, së bashku me të tjerë, kultivonin me farë kërpi (kanabis), konkretisht 2300 farë kanabis me prejardhje holandeze e markës “ROYAL”, nga të cilat 1300 copë fare lloji “CRITICAL” dhe 1000 copë të llojit “GORILLA”, me vlerë dhe cilësi të certifikuar, e cila trafikohej në Kalamata dhe Messina.