Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, u takua me kreun e SPAK, Altin Dumani, duke rikonfirmuar angazhimin britanik për të mbështetur institucionin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe për vitin 2025.
Në prag të zgjedhjeve, Abbott vlerësoi përpjekjet e SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore dhe theksoi rëndësinë e rolit të tij në mbrojtjen e demokracisë shqiptare.
Diplomati britanik nënvizoi se gjatë pesë viteve të funksionimit të tij, SPAK është bërë një nga institucionet më të besuara në vend dhe gëzon njohje ndërkombëtare. Mbretëria e Bashkuar mbetet një partnere e fortë e SPAK dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në vitin 2025.
‘Ambasadori i Madhërisë së Tij në Shqipëri, Nicholas Abbott, u takua me Altin Dumanin, Kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe rikonfirmoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur SPAK-un. Në prag të zgjedhjeve, mirëpresim përpjekjet e SPAK për të mbështetur demokracinë shqiptare përmes hetimit të krimeve zgjedhore. Gjatë pesë viteve të funksionimit të tij, SPAK është bërë një nga institucionet më të besuara në Shqipëri dhe është njohur ndërkombëtarisht si i tillë. Mbretëria e Bashkuar mbetet një partnere krenare e SPAK dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin e mëtejshëm në vitin 2025’, thuhet në reagimin e Ambasadës britanike në rrjete sociale.
Hetimi i krimit zgjedhor
SPAK ka përgatitur strategjinë e parandalimit të krimeve zgjedhore, kryesisht blerjen e votës dhe përfshirjen e grupeve kriminale.
Një Task-Forcë e posaçme e drejtuar nga Altin Dumani, grupe të shpërndara në terren në të gjitha bashkitë dhe një platformë informimi nga qytetarët janë pjesë e planit të SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore për 11 majin. SPAK thotë se fokus është përdorimi i buxhetit dhe administratës si dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje, teksa bën thirrje qytetarëve të informojnë.
Task-forca e SPAK do të përbëhet një strukturë qendrore dhe grupet hetimore të shpërndara në terren gjatë periudhës zgjedhore, ku do të bëjnë pjesë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës në të 12 qarqet dhe 61 bashkitë. Në Tiranë struktura qendrore do të drejtohet nga vetë Altin Dumani. SPAK thotë se fokusi kryesor i grupeve hetimore do të jetë në parandalimin dhe hetimin e përdorimit të administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirja e grupeve kriminale në proces zgjedhor. Një grup i posaçëm me hetues financiarë dhe ekspertë të tjerë të fushës do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.