Tiranë/ Arrestohet amerikani 71-vjeçar, prodhonte materiale pornografike me të mitur! Mësuesi ishte dënuar më parë në Rusi, u vu në pranga me ndihmën e Ambasadës së SHBA (EMRI)

14 Nëntor, 09:25| Përditesimi: 14 Nëntor, 15:27

  • Share

TIRANË - Një biznesmen amerikan, 71-vjeçar u arrestua sot (14 nentor) në Tiranë pasi akuzohet se filmonte të miturit dhe më tej materialet e tyre të përpunuara si film, i shpërndante në një faqe online pornografike të hapur prej tij, ose i shiste.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së SHBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë, kishte disa muaj që hetonte të moshuarin amerikan, David Ira Lang. Pas provave të gjetura e arrestuan me vendim të gjykatës së Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Gjurma virtuale”. Amerikani, i dënuar edhe në Rusi për të njëjtën vepër penale, dyshohet se në një banesë në Shqipëri, prodhonte materiale pornografike me të mitur. Në shtëpinë ku ai banonte, ekspertët gjetën pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Sipas mediave ruse që kanë shkruar për të kur është dënuar në vitin 2018, David Ira Lang, ishte një konsulent biznesi ‘i respektuar’ dhe mësues i anglishtes nga Nju Jorku, i cili kishte njohje me diplomatë të lartë amerikanë në Rusi.

Një gjykatë ruse e dënoi me 7.6 vite burg, pasi u zbulua se drejtoi studion e tij të paligjshme të filmave pornografik për 9 vjet në Chelyabinsk në Rusi. Në materialet pornografike të cilat ai i shiste online të dhjetëra fëmijëve të mitur, fitimet ishin marramendëse. Në disa raste filmat porno me fëmijë i dërgonte edhe me korrier ekspres në SHBA në disqe (CD). 

Në gjykatë u paraqitën pamje filmike dhe fotografi ku ai edhe abuzonte seksualisht me viktimat e tij në një apartament të shndërruar në studio xhirimi.
David Lang kishte bashkëpunëtore një grua ruse të quajtur Ekaterina Yasina, nënë beqare e një fëmije të mitur, e cila vepronte si përkthyesja e tij dhe gjente vajzat e mitura që 71-vjeçari përdorte në filmat e tij pornografik. Të miturit merreshin kryesisht përmes mashtrimit, të kontaktuar nga një agjenci reklamash, por në të vërtetë detyroheshin të zhvisheshin e të vepronin nën urdhrat e 71-vjeçarit amerikan. Sipas mediave ruse, në këmbim amerikani ofronte para dhe disa vajza shkuan tek ai më shumë se një herë.

Vajzave kryesisht 16-17 vjeç u premtonte se materialet do postoheshin në faqet e huaja të mbyllura. Por miku i njërës prej tyre e pa videon në Rusi, çka e çoi të miturën të denoncojë amerikanin në polici. Kush refuzonte për të bërë fotografi nudo, largohej.

Para arrestimit të tij në Rusi, Land u fotografua me ambasadorin e atëhershëm të SHBA në Moskë, Alexander Vershboë, i cili shërbeu deri në 2005. Ai është fotografuar edhe me Thomas Niblock, konsull të përgjithshëm amerikan në Ekaterinburg.

Njoftimi i policisë

Finalizohet pas disa muajsh hetime operacioni policor i koduar “Gjurma virtuale”.

Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Task Forcës për Shërbimet e Përbashkëta Investiguese në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësisë kundër Krimeve Kibernetike, me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë e Tiranës

Prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur, arrestohet 71-vjeçari (shtetas amerikan, me precedent penal jashtë Shqipërisë).

Hetimet disamujore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma virtuale” rezultuan me identifikimin dhe ndalimin e shtetasit amerikan D. L., 71 vjeç, banues në Tiranë. 

Ai dyshohet se në Shqipëri, prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur.

Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, për lejim të kontrollit, Departamenti i Policisë Kriminale kreu kontroll në banesën e 71-vjeçarit, ku gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vijojnë hetimet.

Ora 12:25
Skeda/ E kaluara e errët e biznesmenit dhe mësuesit amerikan, që Rusia e kishte dënuar për abuzim seksual me të mitura dhe materiale pornografike

Biznesmeni amerikan i arrestuar sot në Tiranë, David Lang

Biznesmeni amerikan, i arrestuar sot në Tiranë, rezulton i dënuar nga një gjykatë ruse me 7.6 vite, për filmimin dhe shitjen e materialeve pornografike, ku ishin përfshirë dhjetëra fëmijë të mitur.

David Lang, një konsulent biznesi ‘i respektuar’ dhe mësues i anglishtes nga Nju Jorku, drejtoi studion e tij të paligjshme të filmit për 9 vjet në Chelyabinsk, përpara se të arrestohej, shkruan “Daily Mail”.

Në gjykatë u paraqitën pamje filmike dhe fotografi ku ai abuzonte seksualisht me viktimat e tij. Sipas medias britanike, David Lang abuzoi seksualisht një adoleshente në mënyrë të përsëritur.

Ai u shpall fajtor për ‘marrëdhënie seksuale dhe akte të tjera të natyrës seksuale me një person që nuk ka mbushur moshën 16 vjeç’. David Lang kishte bashkëpunëtore një grua ruse të quajtur Ekaterina Yasina, nënë beqare e cila vepronte si përkthyesja e tij dhe gjeti vajzat e mitura që 71-vjeçari përdorte në filmat e tij pornografik.

Ajo u dënua me tre vjet me kusht, për shkak se ishte nënë e një fëmije të mitur. Ndërsa Lang u dënua në një gjyq me dyer të mbyllura dhe më pas apeloi vendimin, por kërkesa e tij u refuzua.

Ai dërgoi filma porno për fëmijë në CD-disqe në SHBA me korrier ekspres dhe paratë që fitoi shkuan në llogarinë e tij bankare amerikane, sipas zyrtarëve. Amerikani filloi publikimin e materialeve pornografike në internet në vitin 2014.

Lang shihej si një mësues anglishtes dhe biznesmen i respektuar, i cili kishte njohje me diplomatë të lartë amerikanë në Rusi. Para arrestimit të tij, Land u fotografua me ambasadorin e atëhershëm të SHBA në Rusi, Alexander Vershboë, i cili shërbeu në Moskë nga 2001 deri në 2005, shkruan media britanike. Ai është fotografuar edhe me Thomas Niblock, konsull të përgjithshëm amerikan në Ekaterinburg.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?