TIRANË - Në Gjykatën e Posaçme u mbajt seanca paraprake në ngarkim të deputetit demokrat, Asllan Dogjani, i marrë i pandehur për deklarim të rremë të pasurisë. Pasi u shty dy herë, vetë Dogjani u paraqit sot në seancë, ku në një deklaratë për mediat tha se ka kërkuar pushim të çështjes me argumentin se ajo është parashkruar dhe se nuk ka asnjë fakt që e bën fajtor për akuzën që i ka ngritur SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Dogjani ka blerë një apartament në Tiranë në vitin 2006 vlerën 121.980 euro cash, por ndërkohë në ILDKPI në vitin 2010, kur ka nisur punë në këtë institucion, por edhe më vonë kur u bë deputet, ka deklaruar se apartamentin e ka përfituar përmes konsulenacve juridike që ka dhënë si avokat për firmën ndërtuese ‘Protial’.
Hetimin ndaj tij, Dogjani e quan të motivuar politikisht, ndërsa thotë se në asnjë rast nuk ka gënjyer, pasi apartamentin e ka përfituar nga konsulenca dhe sipas tij, për këtë ka edhe kontratën tek noteri dhe deklaratën e ndërtuesit.
“Kallëzuesi është një mashtrues që pas 20 vitesh më kallëzon mua me ndikimin e Ramës dhe Veliajt se kam reaguar në Kuvend se kam kërkuar interpelanca sa i përket grabitjes së pronës publike, ish-kopshtit 33. Ndërkohë që unë e kam kontratën të bërë para noterit dhe një akt i bërë para noterit, ka provë ligjore e shoqëruar edhe me një deklaratë me shkrimin e tij në 2010 që thotë se ‘po Dogjani ka përfituar për shkak të shërbimeve apartamentin’. E kuptoni se ku ka përfunduar. Unë kam kërkuar pushimin e çështjes se është parashkruar, pushimin se nuk ka fakt, nuk ka vepër penale, kërkuam pavlefshmëri”, tha Dogjani.
Ligjvënësi demokrat tha se kjo është një lloj lufte që Rama i ka shpallur opozitës për t’iu mbyllur gojën, por theksoi se në asnjë moment nuk do tërhiqet nga denoncimet e tij për vjedhjen.
“Ndërkohë që SPAK duhet të merret me vjedhjet e Edi Ramës, të Veliajt, ministrave, të drejtorëve të mëdhenj e të vegjël që s’dinë ku i kanë pasuritë, hotelet e motelet, jashtë e brenda Shqipërisë, para pafund, merret me apartamentin tim në të cilin jetoj që në vitin 2006 me 3 kalamaj, 100 metër katror. Në 2006 unë nuk kam pasur asnjë pozitë juridike, asnjë detyrim për të deklaruar, madje nuk kam pasur as fantazinë që mund të vinte një ditë e të bëhesha deputet, se nga 2016 deri në 2019 janë 3 vite. Kjo mënyrë se si Rama po lufton opozitën, kjo luftë që bën Rama për të na mbyll gojën më motivon më shumë për të denoncuar vjedhjen që bën Rama e Veliaj përmes Inceneratorëve, vjedhjen e pasurisë publike, pronës private në mes te Tiranës, vjedhjet për mes PPP në shëndetësi, vjedhjet përmes tenderëve. Për 1 km rrugë 20 mln euro, edhe në Amerikë nuk bëhet.
Vjedhjet që bëhen duke u dhënë tenderët vetëm klientëve të qeverisë. Pavarësisht luftës që bën Rama duke më sjellë mua këtu pas 20 vitesh për një apartament timin, mua nuk ma ndalon fjalën për të denoncuar vjedhjen dhe korrupsionin e kësaj qeverie. A e keni dëgjuar në këto ditë që bandat ndërhynin nëpër ministra duke thënë arresto këtë grup kriminal se do kthehet në vota. Unë kur kam hyrë në politikë e kam marrë parasysh një gjë të tillë, por kurrë në jetën time nuk kam përfituar asnjë cent në mënyrë të paligjshme, kurrë në jetën time nuk kam administruar asnjë fond publik. Rama më 11 maj 2025 është i humbur, edhe këta të SPAK do e votojnë kundër, për një arsye se po të fitojë Rama më 11 maj edhe ju si gazetar, por edhe këta do ikin, se s’kanë çfarë të bëjnë pa njerëz se do ikin shqiptarët nga i madhi tek i vogli. Në 12 vjet ka detyruar 1 mln e gjysmë shqiptarë nga vendi”, tha Dogjani.
Më datë 22 janar, GJKKO do të vendosë nëse dosja ndaj deputetit Dogjani do kalojë ose jo për gjykim. SPAK dërgoi më 3 dhjetor për gjykim dosjen e deputetit Asllan Dogjani duke e akuzuar për deklarim të rremë pasurie. Bëhet fjalë për një apartament 128.4 m2 në rrugën ‘Hamid Shijaku’ në Tiranë, që SPAK thotë se deputeti e bleu 112 mijë euro cash, por në ILDKPI e deklaroi sikur e përfitoi nga konsulencat juridike që i ka dhënë shoqërisë së ndërtimit ‘Protial’.