Tiranë- Dy punonjës të Policisë Bashkiake janë gjendur nën dhunën e paprecedentë të dy personave, që i kanë sulmuar për shkak të detyrës.
Policia e Tiranës konfirmoi sot ngjarjen (27 maj), duke njoftuar edhe nisjen e hetimeve dhe shpalljen në kërkim të agresorëve.
Hetimet po kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas denoncimit të efektivëve.
“U shpallën në kërkim K. C., 29 vjeç, dhe E. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se kanë goditur për shkak të detyrës, 2 punonjës të Policisë Bashkiake. Punohet për kapjen e këtyre shtetasve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit”, bëri me dije policia e kryeqytetit.
Ngjarja është ende nën hetim, teksa nuk u zbardhën detaje nga dinamika dhe rrethanat e saj.
Po ky komisariat ka arrestuar pas një konflikti familjar dhe përleshjeje dy vëllezër, me inicialet S. L., 49 vjeç dhe D. L., 45 vjeç. Policia sqaroi se vëllezërit janë përleshur mes tyre për konflikte pronësie, teksa kanë marrë edhe dëmtime, por pa pasoja serioze.
Komente
