Tiranë-Antonela Berishaj është parë sot në hollin e gjykatës së Tiranës duke pritur nisjen e seancës ndaj saj dhe së motrës Marielës.
Kjo e fundit ndodhet në arrest në burg për dhunimin e Klea Prengës më 6 gusht të 2024.
Por në një lajmërim të fundit seanca gjyqësore e cila do të mbahej ditën e sotme është shtyrë për nesër në orën 12:00 për shkak të mos- shoqërimit nga blloku sigurisë i Mariela Berishës në Gjykatë.
Pas ngjarjes së ndodhur motrat Berishaj thuhet se u larguan nga vendi së bashku me vajzën e mitur dhe u strehuan në Dubai.
Ndërkohë dje më 16 tetor ato u vetëdorëzuan në Drejtorinë e policisë në kryeqytet në prani të avokatit.
Ndërkohë Klea Prenga pas lajmit se motrat janë vetëdorëzuar me anë të një postimi në rrjetet sociale ka kërkuar drejtësi të plotë dhe dënim për dhunën që motrat ushtruan ndaj saj.
Kur ndodhi ngjarja?
Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Berishaj teksa ishte duke darkuar në një restorant në kryeqytet. Sipas modeles ngjarja ka ndodhur të martën e 6 gushtit 2024 dhe teksa ishte duke ngrënë motrat e kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në fytyrë.
Ndërkohë dy motrat, Antonela dhe Mariela Berishaj akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe rrezikojnë burg deri në 10 vjet.
Foto: Klea Prenga dhe motrat Berishaj
Klea Prenga ,vajza e cila u godit me shishe qelqi në fytyrë nga motrat Berishaj ka reaguar pas vetëdorëzimit të tyre në polici.
Me anë të një postimi në Insta Story Prenga shprehet se kërkon drejtësi të plotë për aktin e kryer.
“Përshëndetje, Pas dy muajsh nga sulmi brutal që më është bërë, personat përgjegjës janë vetëdorëzuar. Disa media kanë spekuluar për një mundësi pajtimi mes nesh, por dua të jem shumë e qartë: nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë asnjë pajtim. Unë kërkoj drejtësi të plotë dhe dënimin e merituar për pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që më kanë shkaktuar.
Nuk mund të ketë falje për një akt të tillë dhune. Shpresoj që procesi gjyqësor të jetë i drejtë dhe transparent, dhe që drejtësia të vihet në vend, duke më dhënë mua dhe familjes sime qetësinë që meriton çdo qytetar”, u shpreh ajo.