Tiranë- Sergio Gjika, u arrestua nga efektivët e Komisariatit Nr. 4 pasi zbuluan se i kishte djegur automjetin fqinjit të tij, për motive të dobëta.
60-vjeçari me banim në rrugën “Demir Zyko” u identifikua nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë.
Episodi u regjistrua më 6 korrik, ndërsa burimet thonë se shkak u bë dyshimi i 60-vjeçarit se fqinji e kishte sharë, por në fakt, as nuk e njihte fare.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Demir Zyko”, ishte djegur një automjet, organizuan operacionin e koduar “Blaze”, me qëllim zbardhjen e shkakut të djegies së automjetit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit. Si rezultat i hetimeve, bazuar dhe në pamjet filmike, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i rastit, shtetasi:
S. Gj., 60 vjeç, banues në rrugën “Demir Zyko”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 06.07.2025, për motive të dobëta, ka djegur me lëndë djegëse automjetin e fqinjit të tij, shtetasit R. M", njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
