Tiranë- Një i ri që ishte kthyer në tmerrin e pronarëve të marketeve dhe supermarketeve në Tiranë është arrestuar nga Policia ditën e sotme (9 prill) gjatë një aksioni, menjëherë pas identifikimit dhe lokalizimit të tij.
Burime zyrtare bënë me dije se finalizuan operacionin e koduar “Precedenti” dhe akuzat lidhen me thyerjen e dyerve të 3 marketeve në kryeqytet me sende të forta, për të vjedhur shuma parash.
I arrestuari është 20-vjeçari Orgito Hysenaj, i dënuar më parë për të njëjtin krim dhe i skeduar nga policia si ‘skifter’ në seri.
Si prova materiale u sekuestruan sendet e forta (leva hekuri) që përdorte i dyshuari.
“Pas denoncimeve të administratorëve të 3 marketeve, se në këto subjekte, ishin vjedhur me thyerje, shuma parash, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën, në kuadër të operacionit “Precedenti”, me qëllim ndalimin e autorit të rasteve. Si rezultat, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi O. H., 20 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se gjatë natës, më datat 28 mars dhe 6 prill, pasi ka thyer me sende të forta (leva hekuri), dyert e 3 marketeve, ka vjedhur shuma parash”, bëri me dije policia për aksionin e zhvilluar.
Në pamjet filmike dallohet i riu duke thyer dyert e marketeve me levë dhe më pas hyn brenda për të vjedhur paratë, i kapur nga kamerat e sigurisë së bizneseve.
Ndërkohë që po vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 20-vjeçari, kurse materialet e dosjes i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme dhe përfshirjen e mundshme të të riut në krime të tjera.
Komente
