Tiranë- Rreth një milion euro pasuri të një 32-vjeçari janë sekuestruar sot me urdhër të Prokurorisë së Tirnës.
Operacioni është koduar “Asset lock”. Bëhet fjalë për asete me vlerë 875 000 euro, në pronësi të të riut që aktualisht po vuan dënimin, për vrasje me paramendim dhe pjesëmarrje në grup kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.
Aksioni u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, bazuar në vendimin e Gjykatës së Tiranës.
Bëhet me dije se u sekuestruan 5 pasuri në pronësi të P. P., 32 vjeç.
I riu rezulton i dënuar për veprat penale “vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të struktuar kriminal.
“Ato ishin të regjistruara në emër të 32-vjeçarit ose të familjarëve të tij. Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim veprimtartë kriminale të këtij shtetasi”, bëri me dije policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
