Tiranë- Donald Greku, 46 vjeç, i arrestuar të martën për vjedhjen e të paktën 4 portofolave në urbanët e Tiranës, u gjet i pajetë rreth orës 01:20 të së enjtes, nga punonjësit e policisë në qelinë e tij në Bllokun e Sigurisë. Burri u gjet i vetëvarur me një copë rrobe që kishte grisur nga tutat që kishte veshur, në rrjetën e dritares së dhomës. Sapo e konstatoi njëri prej policëve, preu rrobën dhe menjëherë u njoftua urgjenca, të cilët pasi mbërritën në bllokun e Sigurisë, konstatuan se Donald Greku kishte ndërruar jetë.
Në momentet e para të arrestimit nga shërbimet e komisariatit numër 3, 46-vjeçari u kishte thënë efektivëve se është përdorues i lëndëve narkotike të forta. Sipas procedurës, ai u dërgua për vizitë në shërbimin e toksikologjisë, ku pasi iu bënë analizat që faktuan se është përdorues narkotikësh, agjentët e dorëzuan pranë Bllokut të Sigurisë.
Mjekët e shërbimit të toksikologjisë, sipas njoftimit zyrtar të policisë, nuk përcaktuan dozë metadoni, e cila zakonisht u jepet personave përdorues për të lehtësuar simptomat e varësisë ndaj drogës. Nga kontakti që është krijuar me qendrën “Aksion Plus”, është konfirmuar nga policia se Donald Greku nuk figuronte i regjistruar si përdorues metadoni. Bluzat e bardha rekomanduan që 46-vjeçarit t’i jepet qetësues Xanax, i cili zakonisht përdoret për të lehtësuar ankthin dhe çrregullimet e panikut.
Mbetet e paqartë se çfarë e ka detyruar 46-vjeçarin të ndërmarr aktin e një vetëflijimi brenda qelisë, por për të zbuluar se çfarë ndodhi dhe nëse e gjitha erdhi si pasojë e mungesës së drogës që mund t’i ketë krijuar panik Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim si për qëndrimin brenda Bllokut të Sigurisë ashtu edhe nëse receta e lëshuar nga mjeku ishte e duhura.
Komente
