Tiranë- Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar një natë më parë në rrugën “Jordan Misja”, Tiranë.
Një 27-vjeçar ka përplasur me makinë për vdekje një 54-vjeçar që po lëvizte me biçikletë.
Fatkeqësisht i aksidentuari ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
“Me datë 18.07.2025, në rrugën “Jordan Misja” automjeti me drejtues shtetasin H. M., rreth 27 vjeç, ka aksidentuar biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi S. Xh., rreth 54 vjeç.
Si pasojë e aksidentit është dëmtuar 54-vjeçari, i cili ka humbur jetën në spital. Ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të metejshme hetimore”, informoi mbrëmjen e djeshme policia.
Ndërkohë në njoftimin e sotëm blutë bëjnë me dije se kanë arrestuar 27-vjeçarin.
"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, lidhur me aksidentin rrugor të ndodhur në rrugën “Jordan Misja”, ju informojmë se, në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin H. M., 27 vjeç. Ky shtetas, duke drejtuar automjetin, përplasi biçikletën me të cilën po lëvizte shtetasi S. Xh., 54 vjeç, i cili për pasojë ndërroi jetë në spital", njoftoi sot policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Komente
