TIRANË - Ditën e djeshme, gjyqtarja e gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllari ka depozituar për të dytën herë kërkesën për t’u tërhequr nga çështja e ish kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi. Por edhe këtë herë kërkesa i është rrëzuar, bën me dije gazetarja Keti Banushi.
Më herët, Berisha i ka kërkuar gjykatës të përjashtojë nga çështja e tij Xhaferllarin, por kjo kërkesë u rrëzua me shumicë votash si e pabazuar në prova.
Marsida Xhaferllari do të jetë pjesë e trupit gjykues që do shqyrtojë ankimin e Berishës dhe Malltezit për masën e sigurisë 'arrest shtëpie' nëse është antikushtetuese apo kushtetuese.
Masa e arrestit në shtëpi për Berishën u mor në 30 dhjetor 2023 dhe u konfirmua nga apeli i GJKKO më 25 janar 2024. Ish-kryeministri qëndroi për 11 muaj në arrest shtëpiak, teksa doli sërish në rrugë më 27 nëntor 2024.
Ndërsa dhëndrit Jamarbër Malltezi iu vunë prangat më 21 tetor 2023 në aerportin e Rinasit në Tiranë, teksa po priste bashkëshorten e tij që vinte nga Gjermania, Argita Malltezin.
Berisha pretendoi se Xhaferllari ishte bashkëjetuese e Enkeljed Alibeaj dhe shqyrtimi i çështjes nga ajo sipas tij përbënte konflikt interesi.
Ish-kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, është i vetmi deputet nga radhët e opozitës që mori pjesë në këshillin e mandateve dhe votoi pro heqjes së imunitetit për Sali Berishën në kohën kur u kërkua nga SPAK.
Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.
Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.