Tirane- Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara pohuan sot në Tiranë se fuqizimi i grave dhe barazia gjinore mbeten sfida të përhershme; në disa zona të botës ka përmirësime të ndjeshme, por në disa rajone të tjera gjendja është shumë e rëndë.
Komentet u bënë sot në një konferencë ndërkombëtare, “Mekanizmat efektivë institucionalë për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave: Hartimi i së ardhmes 30 vjet pas Pekinit”, organizuar nga ministria e Shëndetësisë dhe Zyra Rajonale e UN Ëomen për Europën dhe Azinë Qendrore.
Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar ndaj vizionit që u shtrua në Pekin 30 vite më pare.
“Në raportin e Bankës Botërore për “Gruan, Biznesin dhe Ligjin 2024”, thuhet se asnjë prej 190 vendeve të vëzhguara nuk ka arritur barazinë e plotë ligjore për gruan, as edhe vendet më të pasura. Gratë ende gëzojnë vetëm 64% të të drejtave ligjorë të burrave dhe botërisht, ato ende fitojnë vetëm 77 cent për çdo dollar të fituar nga burrat. Mbyllja e këtij hendeku do të rriste Prodhimin e Brendshëm Bruto të botës me mbi 20%, në disa rajone edhe më tepër… Nevojitet një rinovim i angazhimit tonë kolektiv ndaj Axhendës së Pekinit +30”. Shqipëria është plotësisht e përkushtuar ndaj këtij vizioni”, deklaroi ajo.
Ministrja përmendi rritjen e vazhdueshme të numrit të grave dhe vajzave në administratën e lartë shtetërore, parlament dhe qeveri
Një progres i rëndësishëm është realizuar në drejtim të përfaqësimit politik me 55% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë, Shqipëria renditet midis 10 vendeve të para në botë në këtë drejtim. Pjesëmarrja e grave në politikë, biznes dhe sektorë të dominuar tradicionalisht nga burrat, përfshirë mbrojtja dhe diplomacia, është rritur vazhdimisht”, nënvizoi Koçiu.
Ndërkohë veprimtaret e të drejtave të njeriut janë skeptike për diferencën e madhe mes shifrave të pushtetit qendror dhe atij vendor.
Ines leskaj, përfaqësuese e Rrjetit për Fuqizimin e Gruas, tha për Zërin e Amerikës se në nivel vendor mungon zëri i grave nga qyteti dhe nga fshati, si dhe mungon demokracia e brendshme të partive politike sa u takon çështjeve gjinore.
“Ndryshe nga shifrat, çështja është sa këto gra lejohen të jenë përfaqësuese, sa këto parti lejojnë gratë të ngrenë zërin, sa këto parti i shtyjnë gratë të mos jenë thjesht një karton i ngritur në emër të kryetarit të partisë. Të gjitha këto çështje në thelb kanë demokracinë e brendshme, ku nisur nga statuti i partisë, ku mungon përfaqësimi i duhur i grave. Duket sikur gratë vazhdojnë të mbeten një numër për hir të ligjeve”, tha zonja Leskaj.
Drejtoresha rajonale e UNWomen për Evropën dhe Azinë, Belen Sanz Luque, tha se 3 dekadat e fundit pas platformës së Pekinit është arritur përparim sa i takon pjesëmarrjes së grave në vendimmarrjen publike dhe në ekonomi
“Përherë e më shumë po bëhen ligje kundër diskriminimit dhe dhunës kundër grave e vajzave. Përherë e më shumë vajza po shkojnë në shkolla dhe po i përfundojnë ato. Bota sot ka shumë sfida, por ne po ndërtojmë një shpresë, megjithatë ende ka edhe shumë zona të tjera në botë, ku përparimi është mjaft i ulët”, tha Belen Sanz Luque Drejtore Rajonale e UN Women për Europën dhe Azinë Qendrore
Të pranishëm në konferencë ishin dhe ministra e zyrtarë të nivelit të lartë nga Këshilli i Europës, Spanja, Kanadaja, Gjeorgjia, Taxhikistani, Kosova, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina.
Gjatë këtij aktiviteti i cili shënon 30 vjetorin e Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim (Beijing Declaration and Platform for Action), një plan botëror për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave u diskutua për strategjitë për forcimin e mekanizmave institucionalë për avancimin e barazisë gjinore, ndërtimin e partneriteteve dhe ndarjen e praktikave efektive.
E miratuar në vitin 1995, Platforma për Veprim e Pekinit (BPfA) konsiderohet si një agjendë themelore për fuqizimin e grave, e njohur globalisht si një parakusht për arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes.