Dy shtetas janë arrestuar falë një operacioni nga DVP e Tiranës në drejtimin e Prokurorisë, pasi kontrabandonin medikamente mjekësore pa pullë fiskale.
Operacioni ‘Medikament’ çoi në pranga Ermir Haxhiaj, 46 vjeç dhe Qazim Haka, 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
'Strukturat e hetimit të krimit ekonomik e financiar dhe Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, arrestuan shtetasit E. H., 46 vjeç, dhe Q. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.', thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit në farmacinë e E.H. dhe depon e Q.H., policia gjeti një sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Gjithashtu u gjetën dhe disa pajisje dentare me vlerë rreth 17 mijë euro.
'Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasit E. H., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në një depo të shtetasit Q. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, dhe pajisje dentare, me vlerë rreth 17000 euro.', vijon më tej njoftimi.
Materialet i janë kaluar tashmë Prokurorisë.
Ermir Haxhiaj është arrestuar edhe më parë, pasi në gusht të vitit 2022, policia gjeti në farmacinë e administruar prej tij sasi të konsiderueshme medikamentesh pa pullë fiskale.