Tiranë- Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka shkuar përsëri sot në Prokurorinë e Posaçme.
Gentian Gjyli është thirrur nga institucioni i akuzës, por arsyet dhe veprimet e kryera brenda godinës mbeten ende të panjohura zyrtarisht, nëse janë të njëjta me ato të herës së kaluar.
Report TV ka siguruar edhe pamjet kur Gjyli hyn në institucionin e Prokurorisë. Edhe më 14 janar të këtij viti, zyrtari i lartë i ARRSH-së dha shpjegime për rreth dy orë në SPAK.
Herën e kaluar zyrtari është thirrur për të dëshmuar mbi procedurat e ndjekura në tenderët e rrugëve, gjatë kohës që ai ishte numri 2 i ARRSH-së dhe drejtor Evis Berberi, në hetim nga SPAK nën masën e sigurisë 'arrest me burg'.
Gentian Gjyli u emërua drejtor i ARRSH-së, më 28 mars 2024, një javë pas arrestimit nga SPAK të ish-drejtorit, Evis Berberi njeriu i ngushë i Zv/Kryeministres Belinda Balluku
Gjyli ishte një emërim i brendshëm në radhët e ARRSH. Më parë ai ka mbajtur postin e shefit të sektorit të projekteve dhe së fundmi atë të zv drejtorit të përgjithshëm të ARRSH.
Evis Berberi, u arrestua me 14 mars 2024 me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. SPAK zbuloi skemën si Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, por dhe së fundmi në krye të ARRSH-së kishte dhënë 6 tendera kompanisë së ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.
Komente
