Tiranë- Kthyen lokalin në bazë për shitjen e drogës dhe mbajtjen e armëve pa leje, arrestohet punëtori, shpallet në kërkim pronari.
Policia e Tiranës bëri me dije se si rezultat i kontrolleve në kuadër të operacionit “Mix”, janë goditur dy raste të armëmbajtjes pa leje dhe të përshtatjes së lokalit për përdorim e shitje të drogës.
Mësohet se pronari 26-vjeçar, Gentian Cenaj, akuzohet për përshtatjen e lokalit për aktivitet kriminal dhe punëtori për krimin e armëmbajtjes pa leje në këto ambiente.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative dhe në vijim të kontrolleve të ushtruara në ambiente të ndryshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, në kuadër të operacionit policor “Mix” arrestuan shtetasin L. T., 18 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin G. C., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë”, njoftoi policia e kryeqytetit.
Më tej sqaroi se nga kontrolli i lokalit, shërbimet gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 3 krehër pistolete, 4 armë të ftohta dhe prova të tjera materiale.
“Vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit dhe dokumentimin e plotë ligjor i kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, bëhet me dije për këtë aksion.
Komente
