TIRANË- Kontrolli rutinë i një automjeti pasditen e së martës në kryeqytet, ka çuar në zbulimin e një laboratori të kultivimit të fidanëve të kanabis sativa. Ambjentet e marra me qira në afërsi të Selitës së Vjetër kanë çuar në pranga katër persona, pasi në brendësi të saj janë gjetur një sasi e konsiderueshme e rrënjëve kanabis.
Ervin Shametaj, 30 vjeç, po lëvizte me automjetin e tij në zonën e Selitës së Vjetër në Tiranë, kur efektivët e policisë rrugore e urdhëruan të ndalonte. Pasi i kërkuan lejen e drejtimit dhe dokumentacionin e automjetit, efektivët kuptuan që 30-vjeçari po sillej çuditshëm dhe i vënë në siklet. Për këtë arsye u shtuan dyshimet dhe vendosën të kryejnë kontroll të plotë të automjetit. Pasi hapën bagazhin zbuluan se i riu fshihte disa kubikë kanabis sativa. Pas gjetjes së tyre, fillimisht u prangos 30-vjeçari dhe më pas u bë kontroll në banesën që Shametaj kishte marrë me qira. Aty u zbulua shtëpia e barit, një laborator i mirëfilltë për kultivimin dhe rritjen e kanabis sativa në ambjente të brendshme, i pajisur me ventilim dhe llampa të veçanta që ndihmojnë në rritje të bimëve. Sasia e lëndës narkotike që po rritej ishte shpërndarë në dy dhoma të ndryshme të apartamentit.
Në pranga të policisë përfunduan edhe Gerhard Duro, 37 vjeç, Skënder Ismaili, 44 vjeç dhe një i mitur 17-vjeçar me inicialet J. V, të cilët ishin bashkëpunëtorë në aktivitetin e jashtëligjshëm.
Gjatë kontrollit, përveç fidanëve të kanabisit, u gjetën edhe fara kanabisi dhe 1 peshore elektronike, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale.
Në vetëm pak ditë, Policia ka ndërmarrë disa aksione anti-drogë në Nikël, ku më herët u gjetëm 10 sera të mbjella me kanabis të kamufluar si të mbjella me perime ku kultivohej kanabis me llamba, e në pranga përfunduar 16 persona mes tyre edhe 2 gra. Ndërkohë, jo më larg se dje u gjetën 4 mijë rrënjë kanabisi në zonën e Kashnjetit të Lezhës, por asnjë nuk përfundoi në pranga.
Brenda 'shtëpisë së barit' në Tiranë