Kultura

Tiranë/ Mbahet Festivali Ndërkombëtar i Pianistëve të rinj. Si u krijua “EPTA Albania” dhe pianistët e së ardhmes

5 Qershor, 12:06| Përditesimi: 5 Qershor, 12:32

  • Share

Një nga festivalet më të veçantë dhe me traditë sa i përket interpretimit të pianistëve të rinj, ai i “EPTA Albania”, shënoi këtë vit edicionin e tij të 28-të. Pianistë dhe mësues të njohur evropianë të pianos nga Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Portugalia ishin pjesë e jurisë që përzgjodhi pianistët e rinj më të mirë.

“Kam qenë në Shqipëri rreth 20 vite më parë dhe jam i lumtur të kthehem. Kam dëgjuar talente të vërtetë në këtë konkurs dhe niveli është shumë i lartë. Mendoj se disa prej pianistëve të rinj do t’i dëgjojmë e shohim shumë shpejt në vende të ndryshme të botës.”, - thotë Francesco Monopoli, anëtar i jurisë.

Luis Pipa, një pianist dhe profesor i njohur pianoje nga Portugalia mbajti njëkohësisht edhe një masterclass për pianistët e rinj.

“Është kënaqësi të jem këtu dhe të njoh pianistët e rinj shqiptarë. Janë shumë interesantë, të përkushtuar dhe besoj kanë të ardhme të mrekullueshme. Niveli i konkursit ishte i fortë. Sidomos kategoria e më të vegjëlve ishte shumë surprizuese.”, - thotë Luis Pipa.

Pjesë e jurisë ishte edhe Nadia Lasserson, një profesore e njohur e pianos nga Mbretëria e Bashkuar, e cila është gjithashtu edhe e bija e themelueses së EPTA-s (Shoqata Evropiane e Mësueve të Pianos) në vitin 1978, Carola Grindea.

“Kam qenë disa herë në këtë konkurs të mrekullueshëm dhe e dua. Fëmijët janë pabesueshmërisht të talentuar dhe seriozë në punën e tyre. Duhet të përgëzoj edhe mësuesit këtu për punën që bëjnë.”, - thotë Lasserson.

Nadjezhda Porodini është një nga themelueset e “EPTA Albania”, që tashmë zhvillon konkursin dhe festivalin ndërkombëtar pianistik. Ajo kujton se në Shqipëri, EPTA është krijuar në vitin 1993, kur Carola Grindea dëgjoi rastësisht një disk me muzikë të incizuar nga një nxënëse e Liceut.

“Ajo dëgjoi fare rastësisht në Angli një incizim të një nxënëses sime liceiste dhe na u drejtua me një letër, duke mos e njohur Shqipërinë: Çfarë është ky nivel kaq i lartë i shkollës!” Pasi i tregova çfarë sistemi shkollor kemi dhe çfarë talentesh kemi, na këshilloi të ngremë shoqatën tonë, "Epta Albania", që u krijua në 1993. Ishte nisma ime dhe e gjashtë kolegëve të tjerë. Për ne ishte një gjë e jashtëzakonshme, lumturi. Na u krijua mundësia të komunikojmë me botën, të shohim nivelet, të prezantohemi. Ishte vërtet gjë e mrekullueshme dhe që nga ai vit është krijuar traditë me konkursin e EPTA-s.”, - thotë pedagogia e pianos, Porodini.

Porodini vlerëson veçanërisht punën e bërë me EPTA-n nga Takuina Adami Truja, presidentja më e gjatë e shoqatës në Shqipëri, ndërkohë që prej dy vitesh, “EPTA Albania” drejtohet nga pedagogu Herton Mikeli.

“Jemi të lumtur që kemi pjesëmarrje tej mase të madhe. Festivalit i parapriu edhe një masterclass i Luis Pipës, një nga emrat më të rëndësishëm portugezë dhe botërorë në muzikën pianistike e më gjerë. Të rinjtë shpalosën vlerat e tyre. Jemi të lumtur që konsideratat nga juria janë shumë të larta. Është një nga aktivtetet më të bukura pianistike që ka auditor të gjerë.”, - thotë presidenti i "EPTA Albania", Herton Mikeli.

Në natën finale u ndanë edhe çmime për më të mirët, mes të cilëve edhe katër nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Për tre ditë, pianistë të moshës nga 6-18 vjeç intrepretuan dhe konkurruan të ndarë në 7 kategori sipas grupmoshave.

“Kjo tregon se nxënësist pianistë të shkollës sonë po arrijnë të performojnë me sukses në skenat tona, por edhe përballë një komisioni ndërkombëtar, që janë emrat më të njohur të skenës pianistike botërore.”, - thotë drejtoresha e Liceut Artistik, Etleva Kolnikaj.

Festivali i 28-të Ndërkombëtar i “EPTA Albania” u mbajt për tre ditë në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik. Pianistë të vegjël nga Shqipëria dhe jo vetëm ishin pjesëmarrës në këtë aktivitet, ndër më të rëndësishmit në rajon dedikuar muzikës dhe shkollës së pianos.

 

 

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?