TIRANË - 'I hoqën lirinë një shtetasi dhe ushtruan dhunë ndaj tij, arrestohen 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas tjetër që ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në Polici.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë ditën e sotme nga një 20-vjeçar, se 3 shtetas i kishin hequr lirinë dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Si rezultat:
- u arrestuan shtetasit Denis Baxhaku, 36 vjeç, dhe Ermand Hoxha, 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë";
- u arrestua shtetasi Teo Kolemiço, 28 vjeç, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin "Skënderbej", një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici.
Materialet i kaluan Prokurorisë.', njofton policia.