Tiranë- Të kërkuar për përndjekje në rrjete sociale, kapen 2 persona të dyshuar nga Policia e Tiranës.
Njëri prej të ndaluarve akuzohet edhe se ka kanosur familjarët e vajzës që përndoqi, duke iu lënë 2 fishekë, në afërsi të banesës. Të arrestuarit janë Egzon Poka dhe Klauden Muçogllava.
Ky i fundit me precedentë penalë edhe për mbajtje dhe shitje kanabisi në vitin 2017, ku gjithashtu u arrestua për përndjekjen e një të miture. Muçogllava në atë kohë punonte si shpërndarës picash me motor, teksa gjatë kontrollit iu gjet edhe droga. Por tani ai ka rënë në pranga, pasi ka përsëritur krimin e përndjekjes.
“Si rezultat i kërkimeve të bazuara te informacionet e inteligjencës policore, me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe falë bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të komisariateve të Policisë Nr. 2, Nr. 5 dhe Nr. 6, u lokalizuan dhe vunë në pranga dy personat e kërkuar”, bëri me dije policia ditën e sotme (22 korrik).
I pari u kap Muçogllava, 34 vjeç, i cili ishte në kërkim policor, për veprat penale “përndjekja” dhe “falsifikimi kompjuterik”.
“Ai dyshohet se ka përndjekur ish të dashurën e tij, në rrjete sociale. Gjithashtu, dyshohet se ky shtetas, ka lënë 2 fishekë arme gjahu, në oborrin e banesës së familjarëve të kësaj shtetaseje, me qëllim kanosjen. Fishekët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale”, sqaroi policia.
Kurse Paloka, 28 vjeç, është i ndaluari tjetër, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “përndekja”, sepse akuzohet se ka përndjekur në rrjete sociale, ish të dashurën e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
