Tiranë- Pronari i një lokali në rrugën “5 Maji”, së bashku me punonjësin e tij kanë rënë në prangat e policisë së kryeqytetit.
31-vjeçari kishte përshtatur lokalin për organizimin e lojërave të fatit.
Gjatë kontrolleve të kryera, blutë sekuestruan 3 pajisje kompjuterike dhe 2 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të jashtëligjshme.
Operacioni u kodua “Game over 2”.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, shërbimet e komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Nr. 4, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Game over 2”.
Gjatë operacionit, në rrugën “5 Maji”, u zbulua një lokal që ishte përshtatur për lojëra fati të kundërligjshme. Në lokal u gjetën 3 pajisje kompjuterike dhe 2 celularë që shërbenin për këtë veprimtari dhe shuma parash të dyshuara të përfituara prej saj.
Në përfundim të veprimeve hetimore për rastin, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara, shtetasit: O. B., 31 vjeç, pronar i lokalit dhe U. D., 51 vjeç, punonjës i lokalit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
