Tiranë- Një 19-vjeçar nga Finlanda është arrestuar nga Policia e Tiranës nën akuzën e përndjekjes së një të miture, me të cilën ishte njohur në rrjetet sociale.
Burime zyrtare konfirmuan sot (13 Shtator) se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, prangosën të dyshuarin F. M., 19 vjeç, banues në Finlandë (por me origjinë pakistaneze), pasi “ka përndjekur një shtetase të mitur”.
Policia nuk dha shumë detaje rreth ngjarjes, por mësohet se vajza është 15 vjeçe dhe ka kërkuar ndihmën e uniformave blu, pasi i riu duket se nuk e pranonte refuzimin e saj për lidhje.
Hetimet janë ende aktive dhe priten detaje pasi palët të japin dëshmi dhe ballafaqohen.
Po kështu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit E. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe Dh. P., 66 vjeç, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një grua.
Kurse Komisariati nr. 3 njoftoi se ndaloi shtetasin me inicialet A. I., 50 vjeç, pasi ka shkelur masën e sigurimit personal "arrest në shtëpi" dhe ata të Komisariatit nr. 4 prangosën A. P., 50 vjeç, për veprat penale "dhuna në familje" dhe "veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës", si dhe G. M., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.