Tiranë- Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurorinë e Tiranës, pasi mori nën akuzë në gjendje të lirë 4 persona të dyshuar që akuzohen për pesë raste përndjekjesh, krijim të profileve të rreme në rrjetin social dhe fyerjeve apo denigrimin e të tjerëve nëpërmjet tij.
E para u mor nën akuzë E. C., 28 vjeçe, pasi dyshohet se ka përndjekur nëpërmjet rrjeteve sociale një vajzë tjetër 27-vjeçare, për motive që ende mbeten të paqarta.
Kurse S. H., 36 vjeç, akuzohet se në rrjetin e tij social ka postuar fotot personale të ish-bashkëshortes, bazuar në kallëzimin e bërë prej saj dhe K. P., 28 vjeç, se ka postuar në rrjetet sociale fotot personale të një 26-vjeçareje, me mbishkrime fyese ndaj saj.
Gjithashtu u mor edhe denoncimi i K. C., 27 vjeçe, se në rrjetet sociale i është hapur një profil fals me fotot e saj, duke përdorur shprehje fyese. Autori është identifikuar nga ana e Policisë dhe po punohet për dokumentimin e ngjarjes, teksa është vënë nën hetim në mungesë.
I fundit ka denoncuar H. V., 34 vjeç, se i kanë ardhur komente fyese në profilin e tij në një rrjet social dhe po punohet për identifikimin e kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
Komente
