Qyteti Studenti

Tiranë, përurohet godina e re në Qytetin Studenti, Veliaj: Punimet me standarde europiane! Projekti i Lanës do të bëhet

13 Mars, 15:02| Përditesimi: 13 Mars, 16:33

  • Share

Tirane- Godina 15 në Qytetin Studenti është gati për të pritur studentët. Gjatë fjalës së tij Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se fakti që kjo godinë do të përdoret edhe nga studentët që do të vijnë nga vendet e Bashkimit Europian në Kolegjin e Europës, është një test shumë i madh i kaluar me sukses.

“Fakti që sot kemi ndërtuar godina studentore, të certifikuara edhe nga Kolegji i Europës, pasi do t’i përdorë edhe për studentët e saj që do të vijnë nga vendet e BE, do të thotë se kemi kaluar një test shumë të madh. Sigurisht, kur vjen e mira i harrojmë ditët e vështira, harrojmë kur kemi qenë këtu dhe fadromat prishën çfarë kishte mbetur nga tërmeti, të atyre ndërtesave që ishin të zaptuara. Ende nuk është perfekt, ende ka çibanë e njerëz që kanë hyrë në territor, por të paktën kemi ruajtur integritetin fizik të pjesës më të madhe të territorit dhe jo vetëm kaq, por shfrytëzuam edhe fatkeqësinë e tërmetit, edhe paktin për Universitetin. Tani pothuajse përditë po hapet një kantier i ri dhe po inaugurohet një konvikt i ri me standarde të BE”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se hapësirat e zaptuara më përpara, do të çlirohen për t’i hapur rrugë zhvillimit të zonave, duke folur këtu për zgjerimin e Lumit të Lanës. 

“Edhe te Lana, projekti i Lanës do të bëhet, ajo do të zgjatet, ndërkohë po ndërtohen pallatet që do strehojnë banorët që kanë ndërtuar gabimisht në shtrat të lumit, në kohën kur lejoheshin këto gafa. Ata do trajtohen me njerëzillëk, që edhe Lana të trajtohet, por edhe qyteti të përfitojë nga lirimi i trafikut, urat dhe mospërmbytja. E njëjta gjë po ndodh edhe me unazën, edhe te Njësia 11 dhe te 4, edhe te 3-shi: edhe unaza do bëhet, po edhe njerëzit do strehohen momentalisht me bonus qiraje. Kjo vlen edhe për banorët që deri dje kanë qenë marrës me qira të atyre që i pushtuan me “Liri-Demokraci”. “Liri-Demokraci” patjetër, por liria jote mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Liria e zaptuesit ndërpritet, aty ku duhet të fillojë liria e një studenti, që të jetojë jetën e tij në Tiranë. Pra, familjet janë trajtuar me bonus qiraje, do të trajtohen me skemat sociale të bashkisë, por jo më zaptim të Tiranës. Në 2024-ën nuk ka më zaptime, sidomos në një kryeqytet që është Kryeqyteti Evropian i Rinisë, edhe i Sportit, edhe i Kulturës”, tha Veliaj. 

Në fund, kryebashkiaku ftoi studentët dhe prindërit të vizitojnë nga afër godinat e Qytetit Studenti, të cilat nga gangrenë janë kthyer në një kampus me të njëjtat standarde si në Europë. 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?