Tiranë/ Plaçkitën kasafortën e marketit me 1,5 mln lekë, arrestohen 2 ‘skifterët’! Me precedentë, u gjenden të groposura armë e 8 mln lekë (EMRAT+VIDEO)

24 Tetor, 11:00| Përditesimi: 24 Tetor, 12:22

  • Share

Tiranë- Policia e Tiranës ka zbardhur një nga vjedhjet e ndodhura në kryeqytet (më 21 Tetor), ku u grabit kasaforta e një supermarketi, brenda të cilës raportohet se kishte të paktën 1,5 mln lekë të reja.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, finalizuan sot (24 Tetor) operacionin e koduar "Kasaforta".

Të arrestuarit janë Rei Sylaj dhe Artur Pashkaj. Ngjarja ka ndodhur në “Rrugën e Dibrës”. Policia tha se gjithashtu sekuestroi një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, që u gjet në banesën e njërit prej tyre. Gjithashtu u zbuluan të groposura 8 mln lekë të vjetra nga vjedhja.

Të dy njiheshin si persona me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje, teksa heqja e kapuçit të njërit prej tyre i ka tradhtuar në lëvizje dhe zbulim. 

“Sekuestrohen edhe një pjesë e parave të dyshuara të vjedhura dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë vjedhjes”, thanë burime zyrtare.

Goditja policore u bë menjëherë pas kallëzimit nga pronari i marketit, bazuar dhe në filmimet e kameras së sigurisë dhe informacionet e siguruara në rrugë operative. Në pamjet e kameras së sigurisë dallohet një nga autorët me kapuç xhupi në kokë që mbledh tufat e lekëve nga kasaforta dhe i fut në një qese, duke u larguar më pas me qetësi nga ambienti.

Rei Sylaj, 21 vjeç, banues në Pukë, akuzohet për veprat "vjedhja" me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, dhe "mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

Kurse Artur Pashkaj, 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "vjedhja" me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më datë 21.10.2024, pas mesnate, kanë vjedhur 1500000 lekë në kasafortën e një marketi në Rrugën e Dibrës. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Rei Sylaj, janë gjetur të groposura 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municionin luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të parave të dyshuara të vjedhura dhe veshje që autorët kanë përdorur gjatë vjedhjes”, thuhet në njoftimin zyrtar.    

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për të verifikuar nëse ka pasur edhe raste të tjera ku të rinjtë janë implikuar.

Ora 11:51
Vjedhja e kasafortës/ Heqja e kapuçit tradhtoi 2 autorët, më precedentë të mëparshëm penalë! U gjetën 8 mln lekë, hetohet nëse kishin bashkëpunëtorë

1729762999_grabitje.jpg

Dy autorët në momentin e grabitjes

Dy autorët janë persona me precedentë të mëparshëm penal, si vjedhja dhe grabitja. Ata u zbuluan, edhe pse ishin të maskuar në momentin e vjedhjes, pasi në një zonë që kishte kamera sigurie, para se të shkonin në banesat e tyre, hoqën kapuçët dhe maskat.

Kasaforta e marketit kishte 15 milionë lekë të vjetra brenda, por atyre iu janë sekuestruar 8 milionë lekë.

Policia e ka të paqartë akoma nëse kanë pasur bashkëpunëtorë nga brenda marketit, pasi derën e kanë hapur me çelës dhe pa thyerje.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?