Tiranë- Arrestohet më shumë se dy muaj pas plagosjes me armë zjarri të një taksisti 29-vjeçar në kryeqytet, i dyshuari për krimin e rëndë.
Policia bëri me dije sot (17 qershor) se lokalizoi dhe prangosi të kërkuarin Franci Canaj, 32 vjeç, për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje të Gerald Hoxhës.
Krimi ka ndodhur më 9 prill të këtij viti. Franci Canaj qëlloi në këmbë taksistin Gerald Hoxha pas sherrit se i kishte zënë vendin e parkimit. Ndaj të dyshuarit kishte edhe një vendim gjykate për arrestimin e tij.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Tiranës, për ndalimin e F. C., 32 vjeç, për veprat penale “plagosja e rëndë me dashje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ai akuzohet se më datë 09.04.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur në këmbë, me armë zjarri, G. H., 29 vjeç”, bëri me dije policia e kryeqytetit.
Po kështu, specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë edhe A. Rr., 32 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë i gjetën në automjet, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë autori i ngjarjes rezultonte me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2016, Canaj ka qenë i arrestuar në Itali për drogë dhe prostitucion.
Komente
