Tiranë- Arrestohet autori i dyshuar i plagosjes në piceri të kamerierit 15-vjeçar me një armë të dyshuar si pistoletë-stilolaps (artizanale).
Policia e Tiranës bën me dije se ka prangosur të dyshuarin Aldo Neziri. Ndërkohë që ende në kërkim është administratori i subjektit, Leonardo Mejdani.
Gazetari i Report Tv, Sokol Dema, informon se i dyshuari Neziri është arrestuar në Tiranë. Gjatë marrjes paraprake në pyetje mësohet se ai mban qëndrimin se krimi ka ndodhur aksidentalisht, kurse për armën ka thënë se “e ka hedhur në një kosh në ‘Don Bosko’”. Arma e krimit është gjetur nga policia, në një pusetë.
'Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur me datë 01.06.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Riza Çuka” Laprakë, kanë gjetur dhe sekuestruar armën atipike me të cilën shtetasi Aldi Neziri, 21- vjeç, dyshohet se plagosi 15-vjeçarin', thuhet në njoftim.
I mituri, i cili kishte nisur punë vetëm 2 javë më parë në picerinë e kushëririt të tij, në zonën e “Ali Demit”, nuk ishte i deklaruar. Kamerieri ndodhej ulur në një tavolinë me kushëririn administrator Leonardo Mejdani dhe kolegun, shpërndarës picash, 21-vjeçarin Aldi Neziri, i dyshuar për krimin. Për motive të paqarta ende, punonjësi nxori një armë zjarri të modifikuar në formë stilolapsi dhe goditi me plumb në qafë të miturin. Tre nga të dyshuarit e ngjarjes u arrestuan dje, pasi akuzohen se e fshehën atë, hoqën edhe DVR-të për pamjet nga kamerat e sigurisë. Dy persona u shpallën në kërkim pas ngjarjes dhe 3 të tjerë u arrestuan, pas plagosjes së 15-vjeçarit kamerier në zonën e "Ali Demit" në kryeqytet ditën e diel (1 qershor).
Komente
