Tiranë- Një ambient ku luheshin lojëra fati ilegale me makineta dhe celularë është zbuluar nga Policia e Tiranës orët e fundit dhe goditur aktiviteti i paligjshëm në rrugën “Petro Nini Luarasi”.
Operacioni “Rezultati” çoi në pranga 3 persona, administratori i lokalit dhe 2 klientë. Sekuestrohen 5 makineta, 4 celularë dhe 50 000 lekë.
“Si rezultat i kontrolleve të mbështetura tek inteligjenca policore, me objektiv goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, finalizoi operacionin “Rezultati”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë M. D., 21 vjeç, A. Z., 24 vjeç dhe Xh. Gj., 21 vjeç”, njoftoi sot (9 qershor) policia vendore.
Nga kontrollet në lokalin që administronte M. D., u konstatua se ambienti ishte përshtatur me makineta dhe me celularë, që shërbenin për lojëra fati dhe për vënien e basteve sportive.
Në lokal u kapën në flagrancë, duke luajtur, 2 të arrestuarit e tjerë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
