Tiranë- Gjykata e Tiranës dha sot (26 gusht) masën e sigurisë "arrest në burg" për Oltjon Asllanin (Vodollarin) dhe Serxhio Bajzën.
Asllani është 28-vjeçari që të premten (22 gusht) qëlloi me kallashnikov drejt një mjeti në lëvizje në zonën e Kombinatit, pas një konflikti të dhunshëm me disa persona, duke terrorizuar edhe kalimtarët në rrugë pasi doli nga mjeti me armë në dorë.
Në seancë Asllani ka pohuar se nuk ka pasur qëllim të vriste, por të trembte personat që e kishin dhunuar fizilkisht.
Ndërsa Bajza është shprehur se ka shoqëruar me makinë shokun e tij jashtë dëshirës, por për shkak se është ndjerë i kërcënuar prej tij.
Asllani dhe Bajza do të hetohen për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese", e mbetur në tentativë.
Oltjon Asllani, 28-vjeçar, u shfaq në një pamje të pazakontë një ditë më parë në zonën e Kombinatit në Tiranë: Me një kallash në dorë. I riu që njihet edhe me mbiemrin Vodollari, u arrestua nga policia, e cila e zbuloi këtë episod nga kamerat e sigurisë.
Më herët, 28-vjeçari ishte dhunuar fizikisht nga 4 persona. Pas këtij konflikti, ai mori armën, dhe i shoqëruar në makinë nga shoku i tij 30-vjeçari Serxho Bajza, edhe ky i arrestuar, nisi të qëllojë me kallash ndaj makinës ku lëviznin 2 nga personat me të cilët ishin zënë për shkak të kalimit në rrugën pranë shtëpisë së tij.
Komente
