TIRANË - Kryeministri Rama vijoi sot inspektimet në sheshin ku po ndërtohet terminali i ri te Kthesa e Kamzës, i shoqëruar nga Kryetarja e Deleguar e Bashkisë Anuela Ristani.
Me punimet e deritanishme, tha Ristani, terminali ka një shesh që shërben për qëndrimin e autobusëve që janë drejt destinacioneve të zonës qendrore me kapacitet të përbërë prej 30 vende nisje për zonën e jugut; 19 vende nisje për zonën e veriut; 5 vende të destinuara për zbritjen e pasagjerëve, si dhe 45 vende të destinuara për parkim.
“Terminali është një investim shumë i madh dhe i shumëpritur. Ka 30 vende autobusësh që drejtohen për në jug. 19 të tjera që drejtohen për në pjesën e veriut, të cilat, jo vetëm janë të sistemuara, por kanë dhe vendet e tyre dhe të parkimit, të qëndrimit dhe të zbritjes së pasagjereve. Ajo çka është më e bukur është që gjithë hapësira është konceptuar me prioritet të këmbësorëve dhe pjesëve të gjelbra. Nëse pjesa e autobusëve, tymi, ndotja mbetet prapa, ndërkohe udhëtimi bëhet më i këndshëm me gjithë hapësirat e shërbimit dhe hapësirat këmbësore. Do të ketë një hapësirë të caktuar vetëm për “Kiss and travel”, pra për ata që do lënë pasagjerin siç bëhet në aeroport dhe të largohen dhe pastaj do ketë dhe hapësirën e dedikuar të hipjes dhe zbritjes së pasagjerëve. “ – shpjegoi Nënkryetarja e bashkisë Anuela Ristani.
Ndërsa, Kryeministri Rama tregoi se projekti për terminalin, megjithëse i iniciuar 10 vjet më parë, ka kaluar nëpër një kalvar pengesash që e kanë vonuar zbatimin e tij.
“Sot kjo është një ndalese e rëndësishme sepse dua që qytetarët e Tiranës ta dëgjojnë kalvarin e këtij projekti, i cili është premtuar denbabaden dhe në 2015 kur ndodhi dhe ndryshimi dhe u rizgjua Tirana, projekti u vendos në proces dhe u financua. Sot jemi në 2025-ën dhe ka 6 muaj që ka filluar procesi sepse për gati 10 vjet bashkia e Tiranës, qytetarët e Tiranës janë marrë zvarrë nga gjykatës komplet të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm. Ashtu sikundër, po mbahen familje të tëra zvarrë në kombinat apo në pika të tjera, jo vetëm në Tiranë, nga gjykatës të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm, që nuk janë qytetarë të denjë të kësaj republike dhe që fatkeqësisht kanë në dorë të marrin vendime për fatet e kësaj republike, që nuk duan të dinë për interesa publike, që nuk duan të dinë për rregullat dhe ligjet. Dhe më në fund ky terminal është në rrugën e ndërtimit.” – u shpreh Kryeministri Rama, teksa theksoi se nga një vend djerrë do të shndërrohet në një infrastrukturë, njësoj si në Europë.
“Kjo ishte një kënetë. Nga këneta në një vend depozitimi autobusësh, ku nuk merrej vesh kush ishte autobusi, kush ishte njeriu, kush ishte pasagjeri, kush ishte shoferi, ku ishte rruga, ku ishte këneta. Tani këneta këtu u tha. Dhe kështu do ta thajmë kënetën dhe çdo kënetë që lidhet me kënetën si këtu. Por është fatkeqësi që humbëm 10 vjet për shkak të trukeve, lojërave dhe papërgjegjshmërisë së ca gjykatësve. Tani këtu terminalet do jenë si Europë. Terminali shumë i gjatë, me të gjitha fasilitetete, me ulëse, me tabela elektronike të nisjeve të arritjeve, me shërbime, me biletarinë elektronike. Autobusët do jenë bukur e mirë të parkuar. Nuk do ketë më baltë, s’do ketë më gropa, nuk do ketë më bretkosa dhe zhaba dhe do kalojë në një nivel tjetër i gjithë ky shërbim. Besoj brenda këtij viti.
Më ka mësuar kjo jetë që të marr parasysh ç’mund të ndodhë e papritur, kështu që le të themi që për Krishtlindje ata që do vijnë në Tiranë nga jashtë apo ata që do duan të shkojnë jashtë me autobus në jug do kenë një terminal si gjithë Europa. Ky është një lajm shumë i mirë, një çlirim i madh. Dhe patjetër kjo i rrit vlerat lagjes, i rrit vlerat pronës si gjithë këtyre që kanë shtëpi, atyre që do blejnë shtëpi më vonë dhe i jep një dimension tjetër lidhjes së Tiranës me Kamzën. Sepse tanimë jo vetëm Kamza, por edhe Durrësi janë pjesë e një metropoli, do bashkohen tërësisht në vitet e ardhshme.” – u shpreh Kryeministri.
Me përfundimin e projektit për Terminalin e ri të Autobusëve do të ketë një hapësirë të re, të gjelbër publike për Tiranën, ku hapësirat e pasagjerëve do të jenë të organizuara rreth një kopshti publik të aksesueshëm, i cili mund të shijohet nga udhëtarët dhe qytetarët njësoj.
Hapësirat për këmbësorët do të jenë të veshura me asfalt, ndërsa çdo element tjetër i mobilimit urban do të shërbejë për të siguruar një hapësire të ngrohtë dhe familjare, me mirëmbajtje më afatgjatë.
Komente
