TIRANË- Dy tifozëve holandezë nuk i shkoi mirë ndjekja e skuadrës së zemrës në Tiranë. Dy të rinjtë, 21 dhe 23 vjeç u arrestuan nga Policia e Tiranës dhe akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim.
"Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve D. B., 23 vjeç dhe D. H., 21 vjeç, banues në Holandë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Këta shtetas, më datë 24.05.2022, në Rrugën e Barrikadave, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin A. G., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. K., 62 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale", njofton policia.
Tifozët holandezë u përfshinë në një sherr në ish-kafe Europa në rrugën e Barrikadave, ku me persona të tjerë ende të paidentifikuar nga autoritetet, goditën me sende të forta, një shqiptar që mori dëmtime në kokë siç dhe shihet në pamje, ku përfundoi i rrëzuar në tokë nga goditjet edhe me karriget e lokalit.
Sipas pronarit të lokalit, shqiptari kishte bërtitur “Roma” në mesin e tifozëve holandezë që kishin ardhur në Shqiëpri për të ndjekur finalen mes italianëve dhe Feyenoord.
Komente
