TIRANË- Pajisja “Saliva Ejector”, e cila përdoret për aspirimin e lëngjeve gjatë punës nga stomatologu, prej gati 2 vitesh është i skaduar. Përdorimi përtej datës në këtë rast, 9 nëntorit 2023, e bën atë të rrezikshëm, kontaminues dhe që mund të lëshojë substanca të padëshiruara që ndikojnë në përkeqësim të shëndetit të pacientit.
Ky preparat u gjet në klinikën dentare “Golden Dental & Aesthetic” në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Me të u gjetën me dhjetëra ilaçe të skaduara që mjekët stomatologë dhe stafi i përdornin për pacientët.
I njëjtë është edhe “Ormamax Light”, i cili shërben si kallëp për marrjen e masave dhe formave të dhëmbëve.
Me dyshimin mbi këtë skandal, Krimi Ekonomik në Policinë e Shtetit bastisi klinikën në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, të cilët zbuluan me dhjetëra ilaçe të skaduara.
Administratori i klinikës dentare, Ervin Zeka, 40 vjeç, dhe stomatologu Kejdi Myzyri, 26 vjeç, u arrestuan. Ata janë nën akuzë për prodhim dhe tregtim të barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, vepër penale për të cilën rrezikojnë nga gjashtë muaj deri në 5 vjet burg, si dhe për punësim të paligjshëm dhe fshehje të të ardhurave.
"Në kuadër të planit të masave për kontrollet në klinika dentare, me qëllim sigurinë e pacientëve që marrin shërbim në këto subjekte, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Dentare”.
Në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit me administrator shtetasin E. Z., që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi E. Z., 40 vjeç, dhe shtetasi K. M., 26 vjeç, të dy stomatologë në klinikë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 punonjës në këtë klinikë", njoftoi Policia.
12 punonjës të tjerë, përfshirë laborantë, ndihmës mjekë dhe infermierë, të cilët ishin në dijeni të skandalit dhe nuk e denoncuan, u morën në hetim në gjendje të lirë. Disa prej tyre dyshohet të kenë qenë të padeklaruar. Në rastet kur një klinikë ka barna jashtë afateve të përdorimit, ka detyrim ligjor t’i asgjësojë.
Komente
