Tiranë- Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Eduart Koboçi 28 vjeç dhe Zenel Trofin 35 vjeç, të cilët duke ndjekur njëri-tjetrin me makinë në Tiranë, u përplasën me dy makina të ndaluara në semafor tek ura e Lanës pranë Pallatit me Shigjeta.
Pasi përplasën makinat pak para mesnatës, dy të rinjtë kanë dalë nga automjetet dhe janë rrahur me sende të forta dhe leva, konflikt ku dyshohet se u qëllua me armë.
Sipas policisë, të rinjtë braktisën makinat dhe u larguan me vrap pasi kuptuan se po afrohej policia në vendin e ngjarjes. Gjatë kontrollit në automjetin që dyshohet se drejtonte Eduart Koboçi u gjet një predhë arme zjarri, pistoletë. Mësohet se dy të rinjtë kishin ndjekur njëri tjetrin me makinë nga zonat e Kombinatit. Si shkak dyshohet ndonjë fërkim makinash ose konflikt i mëparshëm.
Eduard Koboçi, rezulton i arrestuar edhe në vitin 2016, së bashku me 3 të rinj, si grupi i të fortëve me armë zjarri, shkopa bejsbolli dhe lëndë narkotike. Në rrjetin social, Koboçi ka postuar edhe disa video kur ishte në qeli.
Policia po punon për kapjen e dy të rinjve dhe dokumentimin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
Shpallën në kërkim shtetasit E. K., 28 vjeç dhe Z. T., 35 vjeç, pasi mbrëmë, rreth orës 23:20, afër pallatit me shigjeta, dyshohet se duke ndjekur njëri-tjetrin, me automjete, kanë përplasur 2 automjete të ndaluara në semafor. Pas përplasjes me dëme materiale, ata kanë braktisur automjetet që drejtonin dhe janë larguar. Gjatë kontrollit në automjetin që dyshohet se e drejtonte shtetasi E. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur një predhë të dyshuar arme zjarri pistoletë. Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Komente
