TIRANË- Ilir Shabanaj, i cili mbanë edhe emrin Adriano, 51 vjeç, është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës pas ngjarjes së dhunshme që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, jo shumë larg digës së Liqenit Artificial. Ai ka goditur me qytën e pistoletës një 40-vjeçar, Kasem Stanin, gjatë një konflikti të përshkallëzuar ndërmjet disa personave, dhe mënjeherë më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos u lokalizuar akoma nga policia.
Sipas informacioneve të siguruara nga blutë, situata ka agravuar në mes të një debati të ashpër, që më pas është shndërruar në një sherr të dhunshëm, me përdorimin e sendeve të forta. Shabanaj u përfshi në përplasje të rëndë verbale me Stanin, që nisi pas një refuzimi të këtij të fundit për t’i dhënë dorën. Konflikti ka eskaluar dhe ka kaluar në një përleshje fizike të ashpër, me sende të forta, përfshirë edhe shishet në tavolinë, e cila ka detyruar Shabanajn të dalë jashtë lokalit, të marrë pistoletën nga makina dhe të godasë sërish me tytën e armës Stanin. Një herë është qëlluar me armë, gëzhoja e së cilës është gjetur në lokal bashkë me armën. Pavarësisht tensioneve, fatmirësisht, plumbi nuk ka prekur njeri.
Pas ngjarjes, 8 persona janë arrestuar, Kasem Stani(Pasha), Emiljan Ruko, Bjorni Tahiraj, Eriald Tahiraj, Denikiajder Tahiraj, Eduart Sulaj, Kastriot Stani dhe Elton Ajredinaj. Burime të policisë sugjerojnë se ky ishte një konflikt banal i çastit, i nxitur nga një mosmarrëveshje e vogël. Megjithatë, hetimet janë ende në vazhdim, për të parë dhe zbuluar nëse mes tyre ka pasur më herët konflikte që mund të kenë degraduar situatën.
Ilir Shabanaj ka pasur një të kaluar problematike dhe politike, duke qenë edhe ish-kryetar i komunës së Kurjanit në Fier. Ai ka pasur probleme me ligjin në të kaluarën, duke u arrestuar në Itali për akuza të lidhura me plagosje, trafik armësh dhe drogë.
“Menjëherë pas njoftimit, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e përgjegjësve.
Si rezultat i veprimeve profesionale dhe të shpejta hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe:
-u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., 51 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, ka goditur me qytën e një arme zjarri, shtetasin K. S.(P.), 40 vjeç, i cili u dëmtua lehtë. Gjithashtu, rezultoi se 51-vjeçari qëlloi një herë, me këtë armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas. Vijon intensivisht puna për kapjen e këtij shtetasi;
-u identifikuan dhe u arrestuan 8 shtetasit e përfshirë në konflikt: K. S. (P.), 40 vjeç, E. A., 43 vjeç, E. R., 39 vjeç, B. T., 24 vjeç, E. T., 35 vjeç, D. T., 30 vjeç, E. S., 47 vjeç dhe K. S., 53 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, informoi sot policia.
Kasem Stani(Pasha)
Emiljan Ruko
Bjorni Tahiraj
Eriald Tahiraj
Denikiajder Tahiraj
Eduart Sulaj
Kastriot Stani
Elton Ajredinaj
Komente
