Policia e Tiranës njoftoi sot (10 Shkurt) se ka arrestuar 3 persona dhe proceduar 8 të tjerë, për sherrin dhe incidentet në derbin e kryeqytetit Partizani-Tirana (1-1) te “Arena e Demave”. Mes të proceduarve janë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba dhe delegati i FSHF-së, Marjus Sulejmani.
Policia pas akuzave të Partizanit, se blutë nuk kanë marrë përsipër organizimin e ndeshjes dhe s’e kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së tyre, pretendojnë të kundërtën.
Sipas policisë, ata kanë njoftuar organizatorët, që në këtë rast është klubi i Partizanit, s’e nuk pranon mbarëvajtjen e ndeshjes pasi stadiumi ‘Arena e Demave’ nuk plotëson kushtet. Megjithatë, sipas policisë, ata janë paraqitur pranë stadiumit 1 orë e gjysmë para ndeshjes siç e parashikon protokolli.
Për rrjedhojë të organizimit të ndeshjes janë vënë në hetim sekretari i përgjithshëm i Partizanit Gerald Buba si dhe delegati i ndeshjes nga FSHF, Marjus Sulejmani. Të dy akuzohen për ‘mosbindje ndaj urdhrit të policisë së rendit publik’ si dhe ‘shpërdorim të detyrës’.
Gjithashtu sqarohet se janë angazhuar mbi 270 forca dhe përsëri incidentet rrezikuan tifozë dhe efektivë të policisë.
“U proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “mosbindja ndaj urdhërit të policisë së rendit publik” dhe “shpërdorim i detyrës” sekretari i përgjithshëm i K.F. Partizani, Gerald Burba dhe delegati i ndeshjes nga FSHF, shtetasi M. S.”, bëri me dije Policia e Tiranës.
U arrestuan Egri Ismaili, 26 vjeç, Erald Vata, 31 vjeç dhe Lauren Ismaili, 29 vjeç. Ndërsa u morën nën hetim në gjendje të lirë M. S., 31 vjeç, A. Q., 23 vjeç, I. Xh., 37 vjeç, R. B., 30 vjeç dhe A. R., 17 vjeç.
Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ishin të dislokuara në perimetrin e stadiumit “Arena e Demave” në Tufinë, si dhe në rrugën që të çon drejt tij, rreth 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të ndeshjes, me qëllim menaxhimin e fluksit të tifozëve dhe sigurimin e rendit. Shërbimet e policisë morën masa për shoqërimin e dy tifozërive drejt stadiumit, si dhe të autobusit me lojtarët e ekipit mik.
Gjatë procesit të hyrjes së tifozëve dhe para fillimit të ndeshjes, u shënuan disa incidente mes dy tifozërive, të cilat kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të policisë për neutralizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.
Ndeshja u zhvillua pa incidente gjatë lojës, megjithatë, për shkak të tensioneve të krijuara më herët, u identifikuan disa shtetas të përfshirë në akte dhune, të cilët u shoqëruan nga policia në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë private (SHPSF).
Në përfundim të veprimeve hetimore:
• U arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së Rendit Publik dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” shtetasit: E. I., 26 vjeç, E. V., 31 vjeç dhe L. I., 29 vjeç.
• U proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” shtetasit: M. S., 31 vjeç, A. Q., 23 vjeç, I. Xh., 37 vjeç, R. B., 30 vjeç dhe A. R., 17 vjeç.
• Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhërit të policisë së rendit publik” dhe “Shpërdorim i detyrës” sekretari i përgjithshëm i K.F. Partizani, shtetasi G. B dhe delegati i ndeshjes nga FSHF, shtetasi M. S.
Në lidhje me pretendimet mbi mbarëvajtjen e ndeshjes dhe masat e marra nga Policia e Tiranës, sqarojmë për opinionin publik se:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, pas marrjes së kërkesës për marrje masash më datë 03.02.2025 nga K.F. Partizani, ka njoftuar organizatorët më datë 04.02.2025 se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshjeje derbi, duke krijuar rrezik për incidente të mundshme.
Pavarësisht këtij njoftimi dhe mungesës së një përgjigjeje zyrtare nga organizatorët, Policia e Tiranës mori masa për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duke angazhuar 276 punonjës policie, të mbështetur nga 8 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Përpjekjet e Policisë së Tiranës për të mbajtur situatën nën kontroll kanë qenë maksimale, por mbetet e qartë se mungesa e bashkëpunimit nga organizatorët dhe infrastruktura e papërshtatshme e ka vështirësuar ndjeshëm detyrën e policisë, duke e rënduar ngarkesën operacionale dhe duke ekspozuar efektivët ndaj rreziqeve të panevojshme. Po ashtu, situata e krijuar ka rrezikuar jo vetëm punonjësit e policisë, por edhe sportdashësit, lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, të cilët mund të ishin ekspozuar ndaj akteve të dhunshme dhe pasojave të mundshme të tyre.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për një bashkëpunim më të ngushtë me organizatorët dhe institucionet përkatëse, me qëllim që veprimtari të tilla të zhvillohen në ambiente që përmbushin standardet e sigurisë, duke shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme".
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)