Tiranë- Një 21-vjeçar është kapur në flagrancë nga Policia e Tiranës teksa shiste kanabis të ndarë në doza.
I riu bëri edhe përpjekje për të fshehur gjurmët e aktivitetit duke hedhur sasinë e lëndës narkotike, por pa sukses.
Policia arriti që të sekuestronte doza kanabisi, 1 peshore, 3 celularë dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike, në doza, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tij. Si rezultat, u identifikua dhe u arrestua në flagrancë shtetasi: K. K., 21 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia e kryeqytetit.
Kur është konstatuar nga efektivët në rrugën “Albanopoli”, ai ka hedhur lëndën narkotike në tokë dhe ka tentuar të fshihet në një ambient (bilardo) që kishte në përdorim.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet gjetën edhe provat materiale. Dosja iu kalua prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Komente
