TIRANË - Një 67-vjeçar është arrestuar nga policia sepse ka goditur me telefon në shpinë gazetaren Domenika Bajraktari, pasi kjo e fundit kishte shkuar të merrte informacion tek Drejtoria Vendore Kamëz-Vorë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me drejtues Agron Cerrin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin F. M., 67 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Q. L., 64 vjeç dhe H. B., 52 vjeç. Pasi ditën e djeshme, ka kallëzuar shtetasja D. B., gazetare, se është penguar gjatë kryerjes së detyrës dhe është goditur me telefon në shpinë nga shtetasi F. M.”,- njofton policia.
Po ashtu, janë vënë nën hetim 2 roje private të institucionet pasi kanë penguar kameramanin që shoqëronte Domerika Bajraktarin,për të kryer detyrën, si dhe i kanë dëmtuar kamerën gjatë filmimit.
“Ndërkohë, shtetasi E. E., kameramani që shoqëronte kallëzuesen, është penguar në kryerjen e detyrës, duke iu dëmtuar pjesërisht kamera gjatë filmimit nga rojet private shtetasit Q. L. dhe H. B.”,- njofton policia.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës është distancuar nga dhunimi në krye të detyrës i gazetares Domenika Bajraktari, në Drejtorinë e Kadastrës të rajonit Kamëz-Vorë.
Në një reagim për mediat, Kadastra thotë se 67-vjeçari F.M., tashmë i arrestuar nga policia, i cili goditi me telefon në shpinë gazetaren, nuk është pjesë e institucionit të tyre.
Ndërsa sa i përket rojeve privatë, Q.L. 64 vjeç dhe H.B. 52 vjeç, të cilët janë nën hetim në gjendje të lirë pasi dëmtuan kamerën e operatorit, Kadastra informon se përmes pamjeve filmike po analizohen veprimet e tyre.
Nëse konstatohet shkelje, thotë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, do të merren menjëherë masa.
Reagimi i plotë i Agjencisë së Kadastrës:
Në lidhje me lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme për ngjarjen e ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamez-Vorë, sqarojmë se:
Agjencia Shtetërore e Kadastrës dënon dhe distancohet nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Në lidhje me rastin e raportuar, sqarojmë se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojet private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh besimin e plotë tek institucionet ligjzbatuese dhe është e bindur se ato do të kryejnë hetimet dhe do të vendosin drejtësi sipas ligjit.
Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron publikun dhe median se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi.
Komente
