TIRANË- Marius Xhepa, 30 vjeç, djali i Liri Xhepës, gruas që u vra më 14 shkurt 2019 nga kunati Dashamir Xhepa, u shpall në kërkim nga Komisariati nr. 6 në Tiranë pasi dyshohet të jetë autor i zjarrvënies së dy makinave të xhaxhait të tij, Gëzim Xhepa, në oborrin e shtëpisë. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën “Hamdi Cenoimeri” në Kombinat.
Shkak i djegies së makinave dyshohet të jetë bërë një konflikt i gjatë për pronat e babait, të cilat Marius Xhepa pretendon se i takojnë, por xhaxhai i kishte kaluar në pronësi të tij.
Vrasja në ditën e Shën Valentinit në 2019-ën tronditi opinionin publik. Liri Xhepa, e ve dhe nënë e 4 fëmijë, u gjet e pajetë në kodrat pranë liqenit të Sharrës, ndërsa autori, tashmë i dënuar me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm, kunati Dashamir Xhepa, u arrestua disa ditë pas krimit në një hotel në Peshkopi. Në procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj tij, ai përmendi problemet me pronat si shkak, përfshirë dhe atë që ai e quante “marrje e fytyrës”, pasi sipas tij kunata e ve kishte krijuar lidhje me burra të tjerë.
6 vjet pas vrasjes makabre, me sa duket, konfliktet për prona nuk janë mbyllur mes familjarëve të tij dhe fëmijëve të Bujarit dhe Lirisë, të cilët tashmë jetim kërkojnë të drejtën e tyre për pronat e babait, për të cilat thonë se u takojnë.
Krimi në familje ditën e Shën Valentinit 2019 dhe dënimi me burg përjetë i autorit
Krimi ndodhi ditën e Shën Valentinit, 14 shkurt 2019 në Sharrë të Kombinatit.
Liri Xhepa u gjet e masakruar në afërsi të Liqenit të Sharrës, nga kunati i saj Dashamir Xhepa. Në trupin e viktimës kishte shenja të bëra më mjete të forta si dhe tre plumba. Njërin e kishte marrë në kokë dhe dy të tjerët në pjesë të ndryshme të trupit.
Familjarët e viktimës thanë se 49-vjeçarja ishte e ve prej 15 vitesh. Lirie Xhepa ishte nënë e 4 fëmijëve. Prej vitesh ajo banonte me dy djemtë e saj. Mes viktimës dhe autorit u dyshua edhe për një lidhje që mund të ishte bërë shkak, por nuk u arrit të provohej dhe motiv mbetën çështjet e pronësisë.
Gjykata e Tiranës dhe më pas e Apelit, dënoi me burg përjetë të formës së prerë më 5 tetor dhe 12 nëntor 2021 Dashamir Xhepën, për krimin në familje.
Vendi i krimit, Lirie dhe Dashamir Xhepa
Komente
