TIRANË - Shtyhet për në datën 25 Nentor gjyqi për Vangjush Dakon. Shkak i shtyrjes ishte mungesa e avokatëve. Sot pritej që mbrojtja të jepte konkluzionet dhe më pas gjykata do të shpall vendimin.
Seancën e fundit në GJKKO, Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare duke kërkuar shpalljen fajtor të ish kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako për akuzën e 'shpërdorimit të detyrës' në 2 raste dhe dënimin e tij me 4 vite burg.
Meqënëse është pranuar kërkesa e Dakos dhe tre të bashkëpandehurve të tjerë për 'gjykim të shkurtuar', ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht SPAK kërkon dënimin e tij me 2.8 vite burg, teksa sot pritej që avokatët e ish kryebashkiakut të jepnin konkluzionet e tyre lidhur me pretencën e prokurorëve të SPAK.
Vangjush Dako u arrestua në qershor 2023 pasi ndaj tij ishte caktuar 'arrest me burg' por pas 8 muajsh, në shkurt 2024 GJKKO vendosi të ndryshojë masën e sigurisë në 'arrest shtëpie' për shkak të kalimit të afateve. Në korrik të këtij viti Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për gjykim të shkurtuar.
Ish kryebashkiaku i Durrrësit akuzohet nga SPAK se ka shpërdoruar detyrën në dy raste: Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019. Rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, projekti “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me një fond prej 21 milionë lekësh, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.