Tiranë/ Të shtënat me armë në Pezë-Helmës, arrestohen babë e bir: Donin të na grabisnin prandaj qëlluam! U sekuestrohet kallashi që mbanin që prej ‘97

15 Dhjetor 2023, 11:12| Përditesimi: 15 Dhjetor 2023, 13:52

  • Share

Babë e bir u arrestuan mbrëmjen e së enjtes në fshatin Mënik, pranë Pezë Helmësit. Ata denoncuan në polici se dikush i maskuar hyri në oborr për t’i grabitur. Blutë u gjetën një kallashnikov me të cilin qëlluan në ajër, ndërsa dëshmia e tyre për të shtëna tjera është e dyshimtë pasi asnjë gjurmë nga autorët e supozuar nuk u gjet.

Denoncuan në polici se dikush kishte hyrë me maskë për të grabitur në oborrin e shtëpisë së tyre, por përfunduan vetë të arrestuar. Ky është rasti i babë e bir, Gëzim dhe Orjent Hysa, 55 dhe 22 vjeç, nga fshati Mënik, në afërsi të Pezë Helmësit. 

Kryefamiljari telefonoi policinë, e cila nuk vonoi t’u shkonte në shtëpi e t’u merrte dëshmitë e plota, për të kuptuar çfarë kishte ndodhur. Pronarët e banesës, pretendojnë se 3 apo 4 ditë më parë dikush ka tentuar t’i vjedhë në pronën e tyre dhe se ishin rikthyer sërish mbrëmjen e së enjtes.

Hysët u thanë hetuesve se në mbrëmje konstatuan një burrë të maskuar në oborr, hynë brenda morën armën kallashnikov, të cilën kryefamiljari e ruante në një çantë të posaçme që nga viti 1997, dhe djali i tij 22 vjeç qëlloi disa herë në ajër. Sipas tyre, hajduti i maskuar, që tashmë ishte larguar, ka qëlluar me armë. Report TV mëson se për shkak të të shtënave, i gjithë fshati është alarmuar, siç e tregon edhe kjo foto. Pasi blutë krehën zonën në kërkim të autorit, të vetmet që u gjetën ishin gëzhojat e qëlluara nga arma e kallashnikovit, por jo të armëve të tjera.

Dëshmia e pronarëve që denoncuan rastin është marrë me rezerva nga hetuesit, të cilët po vijojnë hetimet për të zbardhur çfarë fshihet pas saj. Nuk përjashtohet që për arsye të paqarta, ngjarja të jetë e sajuar. Ndërkohë, nën akuzë për “armëmbajtje pa leje” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” u vunë në pranga babë e bir, të cilëve veç armës iu gjetën edhe 4 krehra me municion luftarak.

Ora 13:02
Të shtënat me armë dje në Pezë Helmës, kush janë babë e bir që u vunë në pranga

Gëzim dhe Orjent Hysa, përkatësisht 58 dhe 22 vjeç janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre, iu gjet armë zjarri kallashnikov, 4 krëhra dhe sasi municioni luftarak.

Babë e bir, banues në fshatin Mënik, pretenduan se disa persona të maskuar ishin futur në oborrin e banesës së tyre e për pasojë ata kishin qëlluar me armë në ajër.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 15/12/2023 13:30

    Bravo policia.Denonco po te duash ...se profesionistet ne polici te rregullojne

    Përgjigju
  • Turi: 15/12/2023 12:58

    Policia mos te arrestoje njerezit qe mbrojne familjen e tyre por ti mbroje ata nga grabitesit madje as mos ti procedoj fare sepse kane te drejte te mbrojne jeten e tyre dhe te familjareve nga keta qelbesira qe enden lart e poshte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?