TIRANË- Një tjetër rast i trafikut të drogës me postë është zbuluar nga Antidroga e Tiranës. Në pranga ka rënë një 24-vjeçar, në momentin që ishte duke marrë pakon me drogë në një pikë postare në Tiranë. Brenda pakos blutë kanë zbuluar 3.6 kg kanabis me përqindje të lartë THC (i cilësisë së lartë). Nëse droga do të hidhej në treg do të kapte vlerën e rreth 50 mijë euro, një shifër e lartë për kanabisin për shkak të cilësisë së saj me përmbajtje të lartë me THC.
Kanabisi që u kap nga Antidroga e Tiranës ishte dërguar nga New York me postë kamufluar si dekor artistik për shtëpi. Policia ka emrin e dërguesit, por pritet të verifikohet në bashkëpunim me palën amerikane. Dyshohet se i riu kishte marrë dhe herë të tjera kanabis nga jashtë shtetit përmes postës. Ai rezulton një emër me precedent të mëparshëm penal, i arrestuar për drogë në vitin 2022.
Rasti i goditur sot është i teti i kësaj natyre për tentativë përdorimin e postës për trafikimin e kanabisit nga jashtë në vendin tonë, pjesa më e madhe nga vende shumë të largëta të globit.
"Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Destinacioni”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 5”, u arrestua shtetasi F. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 3.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë", njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Foto: Franci Veizaj
Report Tv ka siguruar foton e 24-vjeçarit i cili u kap pranë një dege postare teksa merrte një pako me sasi kanabisi 3.6 kg.
Burime bëjnë me dije se Franci Veizaj rezulton me precedentë të mëparshëm penal. Në vitin 2022 i riu është arrestuar gjithashtu për drogë.
Komente
