Gjykata e Posaçme

Kronikë

Tiranë/ Transportonin emigrantët nga vendet e treta drejt atyre të BE-së me 5-10 mijë euro, GJKKO dënon me 36 vite burg 4 trafikantët e huaj (VENDIMI)

6 Mars, 17:17| Përditesimi: 6 Mars, 17:38

  • Share

Tiranë- Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë sot (6 mars) dhe dënuar me 36 vite burgim në total 4 anëtarët e një grupi të trafikut të emigrantëve nga vendet e treta me destinacion ato të BE-së, kundrejt përfitimit.

Prokuroria e Posaçme e kishte mbyllur hetimin dhe dërguar çështjen për gjykim prej më shumë se një viti.

Pas dëgjimit të palëve, GJKKO vendosi dënimin e të pandehurve Yahia Yussef (alias Kamal Kamil), Soran Saber, Yalcin Ali Hanca dhe Mustafa Cosekoglu.

Vendimi u dha nga trupi gjykues me përbërje nga gjyqtarët Etleva Deda, Ardit Mustafaj dhe Bib Ndreca.

Akuza ndaj shtetasve turq ka qenë ajo e “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “grupi i strukturuar kriminal”. Procesi u zhvillua me gjykim të zakonshëm.

Yalcin Ali Hanci u dënua në bashkim dënimesh me një total prej 6 vitesh burgim për të dyja akuzat. Mustafa Cosekoglu po me 6 vite burgim, Soran Saber, si kreu i grupit, u dënua me 12 vite izolim, pasi iu bashkuan dënimet me 8 dhe 5 vite për secilën nga veprat penale. Si dhe Yahia Yussef (alias Kamal Kamil) po me 12 vjet burgim, gjithashtu i cilësuar si pjesë kryesore e grupit.

Sipas hetimeve të SPAK, të dyshuarit përdornin skafe dhe veliera për trafikimin e emigrantëve, kryesisht nga Egjipti, iraku dhe Siria drejt brigjeve të Adriatikut dhe më tej drejt vendeve të BE-së.

Ky trafikim bëhej me 5-10 mijë euro për person. Gjatë aksionit janë sekuestruar dhe konfiskuar me vendim të Gjykatës mjeti lundrues tip velierë, me flamur të shtetit turk, një mjet lundrues tip “skaf me dy motorra”, i sekuestruar në Vlorë, aparate celulare të të pandehurve të dosjes, një shumë parash dhe eurosh cash dhe sende të tjera.
Kujtojmë se kjo dosje ka pasur shumë të pandehur, por 4 të huajt janë mëvetësuar në proces. 

Në seancën e 31 korrikut 2024, GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin e çështjes për gjykim. 4 të huajt ishin pjesë e 25 personave të arrestuar që kryenin trafikimin e klandestinëve nga Shqipëria drejt Italisë dhe Greqisë.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?