Tiranë- Prokuroria e Posaçme ka nisur veprimet hetimore, përfshirë marrjen në pyetje të disa zyrtarëve policorë, lidhur me takimet e paautorizuara me të paraburgosurin për korrupsion Roven Zeka.
SPAK ka marrë deklarimet e të paktën 2 shefave të komisariateve në kryeqytet, ndërsa është sekuestruar edhe një pajisje telefonike. Ndërkohë, edhe një biznesmen ka qenë subjekt i hetimit të prokurores Elida Kaçkini.
Organi hetues ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, si dhe ka pyetur personat përgjegjës në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza”, për të hedhur më tepër dritë mbi takimet me të paraburgosurin dhe qëllimin e tyre.
Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka bashkë me Sokol Novakun shef i hetimit të aksidenteve dhe oficerin e policisë rrugore Edison Tabaku, ranë në pranga disa ditë më parë (19 prill) në kuadër të një hetimit të SPAK, dhe dyshohet se kanë marrë 2 mijë euro ryshfet, për manipulimin e provave për një aksident rrugor, të shkaktuar nga bashkëshortja e biznesmenit Erges Vrioni.
GJKKO ka dhënë edhe masat e sigurisë arrest me burg për të tre të dyshuarit.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën arrest me burg më 22 prill për dy shefat e Rrugores së Tiranës, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, teksa për Tabakun ishte dhënë një ditë më herët. Të dy oficerët e lartë akuzohen nga SPAK për veprën penale të korrupsionit, ndërsa burime bëjnë me dije se ata kanë mohuar akuzat.
Arrestimet e tyre u bënë më 19 prill, pas ngjarjes së ndodhur më 16 prill, ku u shkaktua aksidenti dhe u kërkuan 2 mijë euro që të mos arrestohej gruaja e biznesmenit.
Sipas dosjes hetimore dhe përgjimeve, duke qenë se oficeri Tabaku e njihte biznesmenin Erges Vrioni, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin.
Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të Policise Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.
Komente
