Brian Spahia dhe Roland Xhaxho

Tiranë/ Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes, Urdhri i Stomatologëve: Kërkojmë të gjitha të dhënat e mjekimit dhe proceset e ndjekura nga dentisti

10 Tetor 2023, 21:23| Përditesimi: 10 Tetor 2023, 23:01

  • Share

Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë, ka kërkuar nga stomatologu që ka kryer mjekimin dentar ndaj 3-vjeçarit, Brian Spahia i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes kirurgjikale, të gjitha të dhënat e mjekimit të aplikuara ndaj tij.

"Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë kërkon publikisht e zyrtarisht nga stomatologu që ka kryer mjekimin dentar, të gjitha të dhënat e mjekimit, perfshirë protokollin e mjekimit që është aplikuar për vogëlushin e ndjerë Brian Spahiu, grafitë para e pas mjekimit etj, sipas kërkesave të Komisionit Disiplinor që është ngritur posaçërisht për këtë çështje. Stomatologu kurues të sigurojë urgjentisht kontaktet me sekretarinë e Rajonit të USSH Tiranë. Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë nuk ka ende dijeni për emrin e stomatologut që ka kryer ndërhyrjen dentare të vogëlushit dhe është e pashpjegushme dhe penalizuese kjo mungesë e emrit të stomatologut kurues, mosprezenca në media edhe mosparqitja  në zyrat e Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë", thuhet në njoftim zyrtar. 

I vogli gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private. Raporti i ekspertizës paraprake, të cilin Report Tv e siguron, thotë se 3-vjeçari Brian Spahia pati vdekje të papritur nga shkaqe të panjohura më parë. Autopsia pritet të zbulojë çka ndodhur me të voglin që përfundoi në reanimacionin e pediatrisë pasi mbushi 14 dhëmbë në klinikën e anestezistit Roland Xhaxho e të bijës stomatologe.

Policia u rikthye të premten sërish në klinikën “Splendent” dhe aty u sekuestrua DVR e pamjeve filmike të ambienteve të brendshme dhe të jashtme, për të kuptuar se në çfarë gjendje shëndetësore ka dalë nga klinika 3-vjeçari. Mjeku i njohur Roland Xhaxho në një dalje për mediat, ka pretenduar se nuk ka pamje të ambienteve të brendshme të kohëve të fundit për shkak të disa punimeve që po kryheshin në godinë. Pamjet, sipas të njëjtave burime, akoma nuk janë hapur, dhe pritet që me kujdes të prokurorisë të kontrollohen deri në detaje.

Mjeku Xhaxho që aplikoi anestezinë totale te fëmija, tha se Briani doli në gjendje të mirë, i zgjuar nga narkoza në krahët e babait, por ndryshe pretendojnë familjarët që e kanë paditur si fajtor për vdekjen e djalit të tyre. Të dy, babë e bijë janë vënë në hetim në gjendje të lirë për neglizhencë në trajtimin mjekësor. 

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?