Kronikë

Pacienti italian vdes 4 ditë pas operacionit në një klinikë dentare në Tiranë, ndërron jetë në QSUT

24 Maj, 11:18| Përditesimi: 24 Maj, 15:33

  • Share

TIRANË -Një 63-vjeçar italian, i cili kishte ardhur përkohësisht në Tiranë për shërbime dentare, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Italiani vuante edhe nga tumori në mëlçi, një sëmundje të cilën nga sa mësohet nuk ia kishte deklaruar klinikës dentare ku kreu ndërhyrjen dentare

Më 20 maj, italiani shkoi për të mbushur 3 dhëmballë, në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve. Pas ndërhyrjes, italiani ka shkuar në banesë por më tej nuk është ndjerë mirë. Sipas policisë, pas 2 ditësh, më 22 maj, ka shkuar me ambulancë në QSUT. Pavarësisht ndihmës mjekësore në spital, italiani 63-vjeçar, ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të shtune në reanimacionin e QSUT, pasi siç mësohet nga bluzat e bardha, ka pasur hemorragji në mëlçi.

Policia nisi hetimet dhe mori në pyetje administratorin dhe dentistin e klinikës private ku u bë ndërhyrja kirurgjikale. Nga sa mësohet përmes burimeve policore, klinika ka vënë në shërbim edhe pamje nga kamerat e sigurisë, ku sipas tyre faktohet se ndërhyrja ka shkuar pa probleme, dhe se italiani nuk ka deklaruar të vuajë nga ndonjë sëmundje.  

"Më datë 22.05.2025, ka shkuar për mjekim në spital shtetasi italian D. S., 63 vjeç, me banim të përkohshëm në Tiranë, pasi dyshohet se pas një ndërhyrje kirurgjikale më datë 20.05.2025, në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve nuk është ndier mirë. 63-vjeçari, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë kryer veprimet e para hetimore, ku i kanë marrë deklarim administratorit dhe dentistit të klinikës", njofton policia.

Materialet procedurale policia i referoi në prokurorinë e Tiranës për vlerësim të mëtejshëm të rastit. Ekspertiza e mjekësisë ligjore pritet të përcaktojë dhe shkakun e ndarjes nga jetë të italianit 63-vjeçar në vendin tonë.

Ky është rasti i dytë brenda harkut kohor të dy ditëve që një tjetër pacient vdes pas një ndërhyrje kirurgjikale. Kujtojmë se më 22 maj, Valbona Xha Zejno, një tjetër paciente ndërroi jetë në Durrës pas një operacioni për ngushtim stomaku në në spitalin privat “Villa Alba”.

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?