TIRANË – Policia ka arrestuar në flagrancë administratorin 35-vjeçar të një lokali në kryeqytet dhe 3 persona të tjerë, teksa vinin baste online.
Blutë bëjnë me dije se krahas administratorit Arsen Zebi, dhe klientëve Florian Çela, Erigest Alisha dhe Ergest Lloci, në pranga ra edhe pronari 28-vjeçar i lokalit, ku viheshin bastet, me vendodhje në zonën e Xhamllikut, Njulent Palaj. 28 vjeçari konsiderohej si "truri" i lokaleve të basteve "CR7" dhe "333".
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore, të kryera me qëllim konstatimin e ambienteve të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, finalizuar operacionin “Rezultati”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit Nj. P., 28 vjeç, A. Z., 35 vjeç, F. Ç., 41 vjeç, E. Ll., 36 vjeç dhe E. A., 24 vjeç.
Në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit, që administrohej nga 35-vjeçari, në rrugën “Sadik Petrela”, u kapën këta të dy dhe 3 të arrestuarit e tjerë, duke vënë baste sportive, me celularë”,- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Pronari i lokalit, 28-vjeçari Njulent Palaj, u arrestua nga policia edhe më 30 qershor, pasi ishte shpallur në kërkim në datën 10.6.2024 pas një konflikti të ndodhur në zonën e Ali Demit me shkopa bejsbolli, ku një prej personave që morën pjesë në sherr qëlloi dhe me armë në ajër.
Komente
