Tre persona janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër është proceduar pasi vinin baste sportive online, nëpërmjet celularëve.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike organizuan dhe finalizuan operacionin ‘Loja’. Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa lokale në Tiranë u gjetën 4 shtetasit që vinin baste sportive të kundraligjshme online përmes telefonit celular.
U arrestuan D.S., 48 vjeç, E.H., 46 vjeç dhe K.A., 38 vjeç si dhe u procedua në gjendje të lirë E.D., 20 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
'Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit D. S., 48 vjeç, E. H., 46 vjeç dhe K. A., 38 vjeç, të tre banues në Tiranë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. D., 20 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte në Tiranë, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.', thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë operacionit u sekuestruan 4 celularë me anë të të cilave viheshin bastet. Ndërsa materialet proceduriale i janë kaluar Prokurorisë.